Demolohet vepra e artit, reagon GKK
Galeria Kombëtare e Kosovës ka reaguar ndaj vandalizimit të veprës artistike të Eliza Hoxhës që është vendosur në kampusin e Universitetit të Prishtinës.
GKK-ja përmes një postimi në Facebook, ka bërë thirrje që të parandalohen incidentet që shëmtojnë qytetin dhe shkatërrojnë vlerat kulturore.
“Në synimet e GKK që të zgjerojë audiencën dhe ta sjellë artin tek qytetari, duke pasur për qëllim që ta ngritë nivelin e perceptimit publik ndaj artit dhe kulturës, patëm kënaqësinë që në kuadër të bienales ‘Muslim Mulliqi 2018’ ta kemi instalacionin ‘Plisi Informativ’ të artistes Eliza Hoxha”, thuhet në reagimin e GKK-së.
“Dje pasdite ky instalacion u gjet në këtë gjendje. Apelojmë te qytetarët të parandalojnë incidente të tilla të cilat e shëmtojnë qytetin dhe shkatërrojnë vlerat kulturore të Kosovës”, thuhet në reagim./FaktePlus