Dëme të mëdha nga erërat e reshjet, zyrtarët e komunës flasin për gjendjen aktuale
Komuna e Pejës tash e dy ditë është duke u përballur me erëra të fuqishme, të cilat kanë shkaktuar dëme të mëdha. Deri më tani behët e ditur se shumë shtëpive, shkollave e disa objekteve të tjera u janë dëmtuar kulmet. Në dy shkolla tashmë është pezulluar edhe mësimi. Zyrtarë të Komunës së Pejës kanë treguar se si është gjendja në terren dhe si do të veprohet sot.
Era e fortë që fryu gjatë dy ditëve të fundit ka shkaktuar dëme të shumta në Pejë.
Sipas disa fotove që po qarkullojnë në rrjetet sociale, shihet se disa kulme kanë rënë si pasojë e erës, duke shkaktuar dëme edhe në disa vetura.
Nga erërat nuk kanë shpëtuar as disa objekte publike. Dy shkolla kanë mbetur pa kulm e për këtë shkak edhe është ndërprerë mësimi.
Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri në një deklarimi për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se gjatë natës së mbrëmshme kanë qenë aktiv dhe nga terreni kanë parë se ka dëme jashtëzakonisht të mëdha.
“Kemi raportime nga qytetarë të shumtë që u janë shkaktuar dëme. Kemi dëmtime të banesave kolektive dhe një rrugë te shkolla ekonomike ka qenë e bllokuar pasi ka rënë një kulm”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se ekipet tashmë janë mobilizuar edhe kanë dalë në terren, duke thënë se do të shqyrtohen të gjitha rastet që pësuar dëme.
“Tash nga ora 10 veç do të dalin ekipet në terren së bashku me drejtorin. Informata kemi për shumë dëme por të gjitha do të shikohen nga afër. Për momentin kjo është situata, nuk mund të thuhet se është gjendje emergjente, por nuk është edhe shumë situatë e qetë”, ka thënë ai.
Shefi i kabinetit të kryetarit Muhaxheri ka treguar se gjatë ditës do të kenë një raport të detajuar rreth dëmeve të shkaktuar nga erërat në Pejë.
“Raporti përfundimtar për krejt demet dhe situatën do të behët sot gjatë ditës. Nga ky raport do të shihet edhe vlera e dëmeve që është bërë”./FaktePlus