Demaliaj e quan veprim politik konfirmimin e aktakuzës nga Apeli
Pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata e Apelit në rastin e njohur si “Veteranët”, kanë reaguar disa nga të akuzuarit në fjalë, duke e quajtur atë vendim të ndikuar nga politika.
Departamenti Special i Gjykatës se Apelit, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në këtë rast, duke lënë në fuqi aktvendimin e 19 qershorit 2019, të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Gjykata e Apelit gjeti se gjykata e shkallës së parë, ka vlerësuar dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme, se kundërshtimet janë të pabazuara dhe se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka prova të mjaftueshme, të pranueshme në aspektin procedural , për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, ndërsa tani nuk janë plotësuar kushtet ligjore për të cilat mund të hedhet aktakuza, ashtu siç kërkohet me dispozitat e nenit 250 par. 1 nën par. 1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit të Procedurës Penale“, thuhet në komunikatën për media të Apelit.
Kështu Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj si dhe të akuzuarit e tjerë mbesin si të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ish- deputeti i legjislaturës së gjashtë Shkumbin Demaliaj ka thënë për FaktePlus se ka qenë në dijeni të këtij vendimi kohë më parë, por vetë publikimi i aktakuzës në këtë kohë është bërë për ta dëmtuar imazhin e AAK-së në kohë të fushatës zgjedhore.
“Kam qenë në dijeni të kësaj aktakuzë, por vetë publikimi i saj në kohë para fushatës zgjedhore është bërë politikisht, pra është tentuar për ta dëmtuar imazhin e AAK-së”, ka thënë Demaliaj.
Ndërkaq ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrusmet Berisha emri i të cilit është në mesin e të akuzuarve në rastin e njohur si “Veteranët”, ka thënë se ende nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare për ndonjë aktakuzë.
“Nuk jam në dijeni të ndonjë aktakuze, nuk kam pranuar asnjë shkresë zyrtare”, ka thënë shkurtimisht Berisha për FaktePlus.
Kujtojmë se në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po ashtu i kishte propozuar gjykatës që ta lëshoj masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.
Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.
Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro./FaktePlus