Deliu-Kodra: Politika e jashtme në status-quo, skandale të shumta e asnjë njohje
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra ka kritikuara qasjen e Qeverisë në politikën e jashtme.
Ajo në një intervistë për Ekonomia Online tha se vendi është në status-quo, ngase qe një vit që kur Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet nuk ka asnjë njohje e anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Deputetja Deliu-Kodra tha se gjatë kësaj kohe janë parë vetëm skandale të shumta të Ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, por asnjë hap që e përafron Kosovën me ndonjë shtet.
Me këtë rast, anëtarja e Komisionit për Integrim Evropian tha se Kosova nuk qëndron mirë as me shtetin amë Shqipërinë.
”Ka disa vjet që Kosova jo vetëm që nuk asnjë njohje, por nuk ka asnjë anëtarësim në ndonjë mekanizëm të rëndësishëm ndërkombëtar dhe për pasojë natyrisht që vendi është në status-quo sa i përket politikës së jashtme dhe angazhimit që do të duhej ta kenë institucionet e Kosovës për të lobuar më shumë. Krejt çfarë kemi gjatë këtyre viteve kanë qenë skandale të shumta të ministres së Jashtme, por nuk kemi pasur asnjë hap që e përafron Kosovën me ndonjë shtet”.
“Për pasojë kjo Qeveri ka përshkallëzuar në masë të madhe edhe me shtetet tona mike shtetin amë Shqipërinë, me Malin e Zi dhe nuk qëndrojmë siç kemi qenë më herët dhe nuk ka asnjë agjendë e Ministrisë së Jashtme për ta fuqizuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës në këtë kohë kur zhvillimet janë zhvendosur në Ukrainë. Kosova nuk është që ka pasur ndonjë hap të saktë dhe ndonjë agjendë të qartë qoftë me njohjen e 5 shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën e qoftë edhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB, por edhe me njohjet të cilat i kemi harruar tash e sa kohë”, tha Deliu-Kodra.
Sipas saj, përpjekjet e Qeverisë deri tani kanë qenë të zbehta sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Prandaj sipas saj, shteti i Kosovës nuk guxon të ketë një tentativë të tillë ku Kosova të aplikojë dhe të mos ketë rezultate pozitive nga ky proces.
Megjithatë, Deliu-Kodra shtoi se në këto rrethana politika e jashtme duhet ta luajë rolin e saj që do të jetë forcimi me aleatët, por natyrisht edhe kryerja e obligimeve që ka kryeministri, raporton EO.
“Besoj fort që Qeveria duhet të jetë e vëmendshme që të mos ketë vetëm deklarata të tilla për konsum të brendshëm për anëtarësim qoftë në OKB, qoftë në NATO siç kemi dëgjuar ditëve të fundit, por duhet të jetë e përgatitur që t’i merr përsipër obligimet si Qeveri që Kosova duhet t’i përmbushë për t’u përafruar me shumë shtete për t’u bërë që ky anëtarësim të ndodhë. Çfarë kemi parë deri tash përpjekjet e Qeverisë kanë qenë të zbehta dhe nuk ka asgjë konkrete qoftë për anëtarësim në Këshillin e Evropës, qoftë për NATO. Por nuk asnjë hap të kryeministrit të presidentes dhe ministres së Jashtme për ta forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”.
“Shteti i Kosovës nuk guxon të ketë një tentativë të tillë ku ne do të provonim e nuk do të kishte asnjë të mirë nga ky aplikim i yni. Aplikimi duhet të ndodh atëherë kur Qeveria ta ketë të qartë se cilat do të jenë hapat e saj për të siguruar që me rastin e aplikimit Kosova të shënojë suksese dhe të marr mbështetjen e shteteve. Një situatë të tillë ku kemi pak takime dhe agjenda jonë e jashtme është e zhvendosur më tepër në agjendën tonë të brendshme nuk kemi parë lëvizje të qarta që shteti i Kosovës duhet të forcohet edhe më tej. Kemi parë së fundi edhe sulmet në veri dhe tentativa të Serbisë që të cenojë shtetin e Kosovës. Në këto rrethana politika e jashtme duhet ta luajë rolin e saj që do të jetë forcimi me aleatë, forcimi me miqtë, por natyrisht edhe kryerja e obligimeve që ka kryeministri”, tha ajo.