Deklarohet kryeministria për heqjen e simboleve shtetërore nga Goran Rakiq
Nga zyra e kryeministrit kanë siguruar që se simbolet janë aty ku kanë qenë dhe nuk ka pasur asnjë heqje të tyre.
Ata thonë se çështja e përdorimit të simboleve është e përcaktuar nga Protokolli i shtetit, prandaj secili zyrtar është i obliguar t’i përmbahet këtij protokolli.
“Zëvendëskryeministri Goran Rakiq nuk e ka hequr asnjë simbol të Kosovës, as flamurin, nga Zyra e tij. Çështja e përdorimit të simboleve është e përcaktuar nga Protokolli i shtetit, prandaj secili zyrtar është i obliguar t’i përmbahet këtij protokolli. Sa i përket rastit të përfolur në media, ju sigurojmë se simbolet janë aty ku kanë qenë dhe nuk ka pasur asnjë heqje të tyre”, thuhet në përgjigjen e zyrës së kryeministrit për lajmi.net.
Në anën tjetër, zëvendëskryeministri dhe ministri i pushtetit lokal, është takuar sot me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nikolas Abboot. Në pamjet e publikuara nga ky takim, nuk është parë askund flamuri i Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, mediat serbe, raportuan se Rakiq, ka hequr flamurin e Kosovës nga zyrat e tij.
Për këtë ka reaguar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili ka thënë se ai që nuk respekton Kushtetutën, ligjin dhe shtetin nuk mund të jetë pjesë e institucioneve.
“Unë ku jam aty në çdo institucion, ku do që paraqitem gjithmonë janë simbolet e shtetit të Kosovës. Edhe në kohën kur kam qenë kryeministër i vendit, përfaqësuesit e gjitha komuniteteve të Kosovës kanë respektuar institucionet, Kushtetutën, ligjet dhe simbolet, përndryshe nuk ka qëndruar as një minutë në zyrën e vet. Tash pyetni Z.Hoti. Ai që nuk respekton Kushtetutën, ligjin dhe shtetin nuk mund të jetë pjesë e institucioneve”, tha më tutje presidenti.