Deklaratat e Sami Lushtakut, përgjigje e Hashim Thaçit ndaj Kadri Veselit
Vendimi i Kadri Veselit që njerëz të cilët po përballen me drejtësinë e që kanë pozita udhëheqëse brenda PDK-së dhe institucione të largohen deri në vendimin përfundimtar të organeve të drejtësisë ka nervozuar njërin nga njerëzit me më ndikim në PDK, Sami Lushtakun.
Ai reagoi ashpër mbrëmë duke thënë se nga PDK-ja duhet të largohen 4-5 veta të cilët kontrollojnë gjithçka në Kosovë.
Për analistin Imer Mushkolaj, deklaratat e Lushtakut duhet të merren seriozisht nga PDK-ja por edhe nga sistemi i drejtësisë në vend.
Në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Mushkolaj thotë se përveç kësaj, deklarata e Lushtakut është edhe përgjigje e Hashim Thaçit ndaj Kadri Veselit.
“Është deklaratë që duhet të merret me seriozitet shumë të madh nga PDK-ja dhe institucionet e drejtësisë për shkak se thjeshtë një person i rëndësishëm i partisë po na thotë që 4-5 njerëz e kontrollojnë sistemin e drejtësisë dhe më shumë. Së dyti unë këtë e kam parë një përgjigje të Hashim Thaçit ndaj Kadri Veselit për iniciativën e tij për ta pastruar partinë nga njerëzit me aktakuza dhe duket se kjo nuk do të jetë e lehtë dhe kur të vije puna që të largohen njerëzit e rëndësishëm që janë shtylla të PDK-së atëherë kjo nuk mund të ndodh. Pra, po na del se nuk bëhet fjalë vetëm për largimin e 4-5 njerëzve që kanë aktakuza për shkak se po të ishte kështu atëherë kjo dot ë ishte zgjidhja më e lehtë dhe PDK menjëherë brenda natës do të kthehej në parti normale”, tha Mushkolaj, shkruan FaktePlus.
Me tutje analisti Mushkolaj ka shtuar se PDK në thelb është e nderuar mbi premisa të korrupsionit dhe dyshimet mbi krim të organizuar.
“Fatkeqësia është së PDK në thelb është e ndërtuar mbi premisa të tilla të korrupsionit dhe dyshimeve për krim të organizuar dhe kjo e bënë shumë me të rënd situatën. Iniciativa e veselit mund të shërbej thjeshtë për konsum publik mirëpo praktikisht nuk është se mund të ndërrojë diçka thelbësore pikërisht për arsye se këta njerëz të cilët janë shumë të fortë brena PDK-së dhe kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me Hashim Thaçin edhe me Kadri Veselin”, theksoi ai.
Në deklaratën e tij, Lushtaku ia bëri me dije kreut të PDK-së se nga partia mund ta largoi vetëm qytetari i cili e ka vendosur aty e jo tjetër kush.
Pikërisht për këtë, Mushkolaj tha se Lushtaku ia tregoi vendin Veselit në kuptimin se vetëm formalisht është kryetar, porse ka njerëz me të fuqishëm brenda partisë se sa ai.
“Absolutisht, njëfarë deklarate që ia tregon vendin Kadri Veselit, kur po them ia tregon vendin e kam fjalën në kuptimin, që i tregon se ai vetëm formalisht, madje me aklamacion është kryetar i partisë, por në anën tjetër brenda partisë ka njerëz shumë më me peshë se sa Veseli dhe zotëri Lushtaku është njëri nga ta. Kështu që është njëfarë mesazhi i Lushtakut për Veselin se ai mund të veprojë ose të ndikojë mbi disa njerëz, shembull të kish qenë Besim Beqaj, Agim Çeku apo ndonjë tjetër por kur vjen puna të shtyllat e PDK-së atëherë situata është ndryshe”, u shpreh Mushkolaj.
Javën që shkoi Veseli, vetëm një ditë pasi u rizgjedh në krye të PDK-së, në një konferencë për media kumtoi vendimin për largimin nga pozitat udhëheqëse institucionale të gjithë njerëzit e partisë që kanë aktakuza, e gjithashtu edhe drejtuesit e organeve të partisë, siç janë kryetarët e degëve që kanë aktakuza. /FaktePlus