Deklaratat e ministrit Bislimi për KQZ-në janë ofenduese thotë Valdete Daka
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka gjatë mbledhjes së sotme ka drejtuar kritika të forta ndaj Ministrit, Besnik Bislimi i cili dje në mbledhjen e qeverisw e quajti skandaloze kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të ndarë nga buxheti i shtetit rreth 116 mijë euro për paga dhe mëditje të komisionerëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.
Kryetarja Daka tha se deklaratat e Bislimit kanë qenë ofenduese.
“Deklaratat e Ministrit të Financave Besnik Bislimi kanë qenë ofenduese për mua si Gjyqtare e Gjykatës Supreme por edhe për anëtarët e tjerë të KQZ-së dhe stafin të cilët kanë punuar jo vetëm për këto zgjedhje por që nga pavarësia për më tepër se 30 palë zgjedhje që i kanë organizuar që janë marrë shembull”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë edhe angazhim të zakonshëm pavarësisht se a organizohen në një komunë apo në tërë Kosovën.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë angazhim të jashtëzakonshëm pa marrë parasysh a organizohen për një komunë apo për gjithë Republikën e Kosovës sepse operacionet zgjedhore nuk janë më të vogla për një komunë por janë të njëjta. Angazhimi i punëtorë dhe stafit është i jashtëzakonshëm dhe kërkon angazhim edhe jashtë orarit të punës. Sipas ligjit për shërbyesit civilë dhe i ligjit për punë i garantohet të gjithë puëntorëve që çdo angazhim jashtë orarit duhet të paguhen, nuk ka asnjë shtet në botë që nuk i paguan punëtorët jashtë orarit të punës. Nuk është në rregull që të ofendohemi për diçka që kemi punuar dhe punojmë edhe ditëve të vikendit së bashku me të gjithë stafin.”, ka thënë Daka.
Tutje, Kryetarja e KQZ-së ka thënë se deklaratat e tilla ku si KQZ-së krahsaohen me zhvatës të buxhetit të shtetit nuk i kanë hije një zyrtari shtetëror.
“Deklarata e tillë ofenduese e Ministrit ku ne si KQZ krahasohemi me zhvatës dhe kriminelë të cilët e zhvatin buxhetin e Kosovës nuk është në rregull dhe një komunikim me një institucion të pavarur kushtetues i cili organizon zgjedhjet në Kosovë nuk i ka hije një zyrtari të lartë shtetëror”, ka thënë Daka.