Deklarata e plotë e Mustafës: Kemi vendosur ta rrëzojmë qeverinë, nuk e lejojmë Kurtin të sillet kështu
Lidhja Demokratike e Kosovës do të iniciojë mocion mosbesimi për Qeverinë Kurti.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, të mërkurën mbrëma, e thirrur pas shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se partneri i koalicionit, VV-ja, ka shkelur në disa pika marrëveshjen për bashkëqeverisje. Ka folur edhe për mospajtimet rreth taksës ndaj mallrave të Serbisë, për çka LDK-ja insiston që të hiqet plotësisht dhe pa kushte, siç po kërkon SHBA-ja.
Gjatë ditës, kryeministri Albin Kurti liroi nga pozita e ministrit Veliun, me arsyetimin se gjatë një interviste të mbrëmshme ka shpërndarë panik në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin.
“Ne patëm mbledhjen e Kryesisë, trajtuam situatën aktuale në vendin tonë, të shkaktuar nga rrezikimi i prishjeve të marrëdhënieve me SHBA-në si rezultat i mos heqjes së tarifës, mbi bazën e kërkesës së pareshtur të tyre dhe problemin që sot ka lind me shkarkimin e Veliut. Dëshiroj t’iu them se më 12 të këtij muaji e kam takuar Kurtin, së bashku me kryeparlamentaren Osmani dhe zëvendëskryeministrin Hotin dhe kam kërkuar nga ai që të heqë tarifën pa kushte ashtu siç e kërkon SHBA-ja sepse rrezikimi i marrëdhënieve me ta nuk është në favor tonin dhe se Kosova nuk mund të humbë aleatin kryesor për shkak të një tarife që nuk e ka vënë as Vetëvendosje as LDK-ja”, ka thënë Mustafa.
Ai thotë se Kurtit ia kanë dhënë arsyet e LDK-së, por s’kanë marrë përgjigje pozitive.
“Nuk kam marrë ndonjë përgjigje pozitive, meqenëse më 15 të këtij muaji ka kapërcyer afati që z. Kurti të veprojë në mënyrë të pjesshme qysh ka premtuar, me të cilën nuk jemi pajtuar. Të hënën i kam shkruar Kurtit që deri në fund të kësaj jave të heqë tarifën sepse po i rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në, dhe kjo po shihet edhe përmes ngrirjes së fondeve të MCC-së”, ka thënë Mustafa, sipas të cilit shqetësuese janë edhe deklarimet e senatorëve rreth kësaj çështje.
“Nëse ne nuk kemi orientim të paqes atëherë SHBA-ja mund të tërheqë trupat ushtarake. Dje ka ndodhur edhe tërheqja e investitorit Counter Global, sa i përket kësaj ne kemi pasur kritikat tona për këtë projekt, por nuk kemi pritur që të kemi një tërheqje të tillë. Sot ka ndodh po ashtu një veprim i papritur dhe i paparalajmëruar i kryeministrit, në kundërshtim me marrëveshjen për koalicion. Pasi për një vendim të tillë ai do të konsultohej me mua, por nuk e ka bërë këtë dhe është një vendim arbitrar”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë se për shkak të keqësimit të raporteve me SHBA-në do të iniciojnë mocion mosbesimi, pasi nuk mund të lejohet një qeverisje e tillë.
“Për neve është një veprim që flet se Kurti nuk dëshiron të bashkëpunojë me ne. Dhe të bëjë veprime që sigurojnë relacione të shëndetshme me SHBA-në. Kemi vendos që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti pasi nuk duam të jemi në një qeverisje të tillë, pasi ajo rrezikon marrëdhëniet me SHBA-në”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë gjithashtu se vendi do të duhej të merrte masat në kapacitet të plotë kundër koronavirusit.
“Të gjitha vendet përreth kanë marrë masa, e disa prej tyre me shpalljen e masave emergjente ndaj koronavirusit dhe një gjë të tillë duhet ta bëjmë edhe ne. Përpos problemit të shpërndarjes së kësaj sëmundje të rëndë ne kemi probleme të mëdha ekonomike, dhe kjo mund të shkaktojë që të mbesin shumë njerëz të papunë, prandaj ajo që i duhet Kosovës është që të kemi një bashkëpunim dhe një sinergji ndërmjet të gjitha institucioneve në mënyrë që të fitojmë betejën kundër kësaj epidemie”, u shpreh kreu i LDK-së.
Mustafa ka kërkuar që të ketë bashkëpunim edhe ndërmjet Thaçit e Kurtit për një situatë aq serioze.
“Në asnjë rast LDK-ja nuk e kemi thjeshtëzuar problemin duke thënë se a jemi me Thaçin a Kurtin, ne jemi me Kosovën, pasi politika është me pak e rëndësishme se sa jeta e njeriut. Edhe Thaçi Kurti duhet të bashkëpunojnë”, u shpreh Mustafa.
Ai thotë se nuk ka arsye që Vetëvendosje të qëndrojë në krye me veprime të tilla.
“Dëshiroj të ju njoftoj se ky është qëndrimi ynë, nuk shohim më arsye që të bashkëqeverisim me Vetëvendosjen. Nuk shohim arsye që Vetëvendosje me veprime të tilla të qëndrojë në krye të vendit. Përçarja jonë themelore qëndron në përkeqësimin e marrëdhënieve me SHBA-në, për çka ne nuk pajtohemi. Nuk kemi diskutuar me asnjë parti politike për këtë çështje”, ka thënë Mustafa.
I pyetur nëse kanë pasur një marrëveshje me presidentin Hashim Thaçi për këto veprime, ai ka mohuar një gjë të tillë.
“Mund t’iu garantoj se nuk kemi pasur asnjë marrëveshje me Thaçin. S’kemi kërkuar që në mënyrë eksplicite që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme. Sa i përket çështjes së tarifës dhe reciprocitetit është e saktë se në marrëveshjen për bashkëqeverisje kemi thënë se tarifa zëvendësohet me reciprocitet, por kemi pasur ndërhyrjen e miqve, që na kanë thënë se duhet të pritet për reciprocitetin. Ne nuk kemi hequr dorë nga reciprociteti, por duhet të shihet veprimi i Serbisë”, ka thënë Mustafa.
Përkundër mocionit të mosbesimit, ai thotë se do të qëndrojnë në Qeveri derisa të kalohet situata me koronavirus.
“Ne kemi vendimin për të pasur mocion mosbesimi. Nuk shoh mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje dhe është e pamundur të ketë zgjedhje në këtë moment, por ne e kemi shprehur gatishmërinë tonë derisa të kalojë kjo gjendje emergjente. Por, nuk mund të lejojë që Kurti të tallet me ministrat tanë. Kurtit i kemi thënë se veprimin nuk ja pranojmë, pasi ai është arbitrar”, u shpreh Mustafa. “Mendoj se aktivitet për luftë ndaj koronavirusit duhet të vazhdohet. Mocioni nuk e çon qeverinë te shtëpia, por nuk mund të vazhdojmë në këtë mënyrë. Kemi ardhur në një situatë ku kemi përkeqësim të relacioneve me SHBA-në. Kemi pyetje çdo ditë nga ambasadori Grenell se kur të heqim tarifën”.
Sipas tij relacionet me SHBA-në janë vendimtare për të marrë këtë vendim të LDK-së.
“Nuk po them se qëndrimi për mocion është rezultat i këtij vendimi, por problemi themelor është relacioni me SHBA-në dhe me sanksionet e saj ndaj Kosovës për herë të parë”, ka thënë Mustafa.
LDK-ja dhe Vetëvendosje kanë vetëm një muaj e gjysmë që janë në koalicion.