“Deklarata e Lekajt e gabuar, por habitem si shkojmë deri në anatemim e linqim të njeriut”
Komentimin e deklaratës së ministrit Pal Lekaj, se do ta dëbonte ambasadorin e Zvicres nga Kosova për shkak të një deklarate të tij për veteranët, nuk ka mbetur pa u komentuar edhe nga ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi. Derisa e ka quajtur të gabuar deklaratën e Lekajt, Kransiqi ka thënë se kur po i lexon reagimet e politikanëve, po habitet se si po i japin rëndësi fjalës, derisa po shkojnë deri në anatemim e linqim të njeriut.
“Qe tridhjet vjet bëjmë çudira me fjalë!. Kur po i lexoj reagimet e politikanëve ndaj një deklarate, sigurisht të gabuar të Pal Lekajt, po habitëm sesa rëndësi i japim fjalës, sa karshillëk i bëjmë gjërave të imta dhe shkojmë deri në anatemim e linqim të njeriut?! Qe tridhjetë vjet në historinë tonë kanë filluar të vlerësohen “fjalët e thata patriotike” e jo të bëmat atdhetare! Madje fjalët sikur kanë marrë peshë edhe më shumë se flijimet e shumta për komb e atdhe, për liri e pavarësi?!”, ka thënë Krasniqi.
Ish zëdhënësi i UÇK-së, ka shtuar se më shumë se 20 vjet, më shumë është folur për fjalën e thënë të UÇK-së në vorrimin e Llaushës sesa të gjitha pushkët tjera të filluara nga 30 dhjetori i vitit 1991.
“Pastaj, që më shumë se 20 vjet, më shumë është folur për fjalën e thënë të UÇK-së në varrimin e Llaushës sesa të gjitha pushkët tjera të filluara nga 30 dhjetori i vitit 1991! Dhe ajo ditë u bë Dita e parë publike e UÇK-së?! Fjalët i shukatën pushkët! E, sot u fol, e u përfol një deklaratë e thënë me fjalë, u fol më shumë sesa për të gjitha gabimet faktike të diplomacisë sonë që kanë ndodhur që një dekadë! E u bë shumë e madhe një fjalë e gabuar e Ministrit të Infrastrukturës. Sesi na përfaqëson Diplomacia dhe sesi përfaqësohet populli ynë në institucione, pak ka rëndësi”, ka theksuar ai.
Krasniqi ka shtuar se aty ku mungojnë veprat e mira, ka shumë fjalë të thata, të cilat janë si suret e gjata.
“Çka të themi? Por një gjë po dihet: Aty ku mungojnë veprat e mira, ka shumë fjalë të thata. E fjalët e thata janë si suret e gjata. S’ka dyshim, fjalët duhet të mendohen e peshohen mirë, por fjala e pa menduar mirë është hiq gjë para veprimeve të liga që na ndodhin përditë para syve tanë! Dhe për pasojë i heshtim, siç heshtin varret!”, është shprehur Krasniqi në rrjetin social Facebook. /FaktePlus