Dedaj: Nuk vjen në shprehje ekstradimi i Tomor Morinës në Serbi
Janë bërë një javë prej se ish- pjesëtari i UÇK-së, Tomor Morina është arrestuar nga policia maqedonase dhe po mbahet në paraburgim në Shkup, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë.
Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup, ka refuzuar ditë më parë kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin nga paraburgimi 30-ditor të Tomor Morinës, duke respektuar kështu kërkesën e Serbisë, e cila po kërkon edhe ekstradimin e Morinës nga Shkupi në Beograd.
Kjo ka nxitur reagime të shumta në Prishtinë, e cila ka kërkuar nga Shkupi lirimin e menjëhershëm të Morinës, si dhe të hedhë poshtë urdhrat politike për arreste të lëshuara nga Beogradi.
E sot ka reaguar edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Gjergj Dedaj, i cili në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka thënë se Maqedonia si vend mik i Kosovës nuk do të duhej të zbatonte kërkesat e Serbisë.
Ai thotë se ambasada e Kosovës është në përcjellje permanente të këtij rasti dhe pret një vendimi të ri nga autoritetet maqedonase.
“Ish pjesëtari i UÇK-së, Tomorr Morina është arrestuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në bazë të një fletarresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë. Ai aktualisht është në mbajtje për shkak të procedurave dhe në pritje të një vendimi të drejtë të autoriteteve të Shkupit zyrtar. Maqedonia e Veriut si një vend mik e cila nder të parat e ka njohur pavarësinë e Kosovës nuk do duhej të arrestojë qytetarët e Kosovës në saje të fletarrestimeve të Serbisë të cilat thjeshtë janë politike dhe tregojnë agresivitetin e Beogradit zyrtar ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Dedaj për FaktePlus.
Ai mes tjerash ka pohuar se zyrtarët e Ambasadës së Kosovës në Maqedoni e kanë vizituar Tomor Morinën dhe kanë kërkuar nga autoritetet lirimin e tij.
Dedaj ndër të tjera është i bindur se ekstradimi i Morinës nuk do të ndodhë dhe se nga pala maqedonase do të veprojë me mirëkuptim për këtë çështje.
“Ambasada e Republikës së Kosovës e ka vizituar z.Morinën, ka kontaktuar autoritetet e Maqedonisë së Veriut dhe avokatët mbrojtës së tij duke kërkuar lirimin e tij. Me rëndësi është se nuk mund të vije në shprehje ekstradimi i tij në Serbi siç e kërkon pala serbe dhe institucionet e Kosovës shpresojnë dhe kërkojnë mirëkuptimin e autoriteteve të drejtësisë së Maqedonisë se Veriut për ta liruar në kohë optimale Tomor Morinën dhe ai të kthehet në Kosovë”, është shprehur Dedaj, shkruan FaktePlus.
Ndërkaq edhe sot MPJ është shprehur se është në vazhdimësi duke punuar për lirimin e Morinës. Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme Behxhet Pacollit, ka thënë se kjo çështje tashmë është procedurale.
Ai është shprehur se MPJ është duke punuar intensivisht për lirimin e Morinës.
Zyberaj tha se urdhër arrestet politike të Serbisë nuk kanë bazë ligjore dhe se janë lojëra politike të Beogradit.
“Që nga dita e parë e ndalimit, ne jemi në kontakt të ngushtë me autoritetet e Maqedonisë Veriore për të siguruar lirimin e Tomor Morinës. Ka procedura në Maqedoninë e Veriut qe autoritetet e atjeshme duhet me i ndjek, dhe ne jemi duke komunikuar rregullisht dhe intensivisht me Shkupin për të shpejtuar lirimin e ish luftëtarit te lirisë, Tomor Morina. Urdhër-arrestet politik të Serbisë* kundër luftëtarëve të lirisë së UÇK-së nuk kanë kuptim dhe as bazë ligjore dhe thjesht bazohen në lojëra politike të Beogradit. Ne besojmë se së shpejti lirimi i tij do të ndodh dhe kështu edhe kthimi i tij tek familja. Besojmë në lirimin e shpejt të Tomorit dhe këtu nuk ka dilema”, ka shkruar Zyberaj në Facebook.
Në anën tjetër në reagimin e bërë nga OVL-UÇK thuhet se ndalimi i luftëtarit Morina nga organet e Maqedonisë Veriore, bazuar në urdhër arrestet e Serbisë është i papranueshëm.
“Ky precedan i krijuar edhe më herët në shtetet tjera, më së paku është dashur të ndodhë në një nga shtetet që aspiron drejt integrimeve euroatlantike. Jemi të befasuar se si po respektohen urdhër-arrestet e një shteti i cili ka ushtruar gjenocid popullin tonë”, thuhej në reagimin e OVL-UÇK-së.
Ndryshe nuk është hera e parë që shteti i Serbisë lëshon flet arreste për kosovarët. Fletë arreste të tilla kanë edhe ish figurat e larta të UÇK-së. Me një fletë arrest të tillë ishte arrestuar edhe Ramush Haradinaj në janar të vitit 2017 në Francë./FaktePlus