Deda: Fajtori për mosformimin e qeverisë VV-LDK do të ndëshkohet nga populli
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka thënë se kushdo që ndikon të mos formohet qeveria VV-LDK, do të ndëshkohet nga populli i Kosovës.
Duke folur për fitoren e opozitës në zgjedhjet e 6 tetorit, Deda ka thënë se as VV-ja e as LDK-ja nuk duhet të hanë fjalët që kanë thënë para zgjedhjeve.
“Ata s’kanë qare pa e formuar qeverinë. Nëse s’e formojnë qeverinë, fajtori do të ndëshkohet nga qytetari. Kanë thënë për dy vjet se do të jenë bashkë, e njëjtë edhe në fushatë. Tash nuk duhet të hanë fjalët e veta. S’e pres këtë. Ajo që pres është që më mirë do të ishte të nisnin sa më shpejtë diskutimet e të kenë dakordimin për 100ditëshin e parë, e për buxhetin që votohet në dhjetor”, ka thënë ai.
Sipas tij, të dy partitë duhet të bëjnë kompromise gjatë negociatave për formim të qeverisë. Ka thënë se aty si bashkim do të dalë programi i dakordimit dhe jo vetëm i njërës apo tjetrës parti.
Albin Kurti, kryetari i VV-së, sipas Dedës, pas kohës së gjatë në opozitë duhet të kuptojë se tash pas fitores në zgjedhje, “dallon të jesh udhëheqës nga ajo kohë që ka qenë”.
“Ka thënë se do të jem kryeministër i Kosovës e jo kryetar i VV-së. Aty duhet të arrijë”, ka deklaruar ai. “Kur je në një parti, apo udhëheqës, s’e ke idenë çfarë situate është i gjithë vendi. Ndryshe është si kryetar e ndryshe si udhëheqës kryesor. Ke me pas probleme të ndryshme, të natyrave të ndryshme”.
Deda ka thënë se qeverisja VV-LDK duhet të dëshmojë veten qysh në 100ditëshin e parë, duke marrë vendime të mëdha. Sipas tij, te këto vendime të mëdha përfshihet përkushtimi për qeverisje me duar të pastra e shtet ligjor.
“Qeveria ka të drejtë të bëjë kallëzim penal ndaj fakteve që janë për keqpërdorim të buxhetit dhe tregon vullnetin për qeveri të pakorruptueshme. Duhet të kenë plan afatmesëm e afatgjatë”, ka thënë ai duke shtuar se qeveria e re do të ketë disa “patate të nxehta” në mandatin e ri.
Ai ka thënë se dy partitë duhet të mbajnë premtimin për formim të qeverisë me vetëm 12 ministri. Ka thënë se aty duhet të jenë katër apo pesë ministri që udhëhiqen nga gratë.