Debutim ëndrrash për Fidan Alitin, gjen golin që në ndeshjen e parë me Kalmar (Video)
Fidan Aliti e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer aventurën e tij në Suedi me skuadrën e Kalmar. Ish-mbrojtësi i Skënderbeut, që u transferua vetëm pak ditë më parë në kampionatin suedez, ka luajtur sot me skuadrën e re, Kalmar, në një takim miqësor ndaj Arsenal Tula, në Belek të Turqisë, aty ku ekipet janë duke zhvilluar fazën përgatitore të dimrit.
Aliti shënoi golin e barazimit për skuadrën e tij në minutën e 83`, teksa skuadra ishte duke humbur deri në atë moment me rezultatin 0-1.
Një top i ardhur nga goditja e këndit, përfundon në kokën e Alitit, i cili gjendet brenda zonës dhe godet në mënyrë perfekte. Topi shkon në rrjetë, ndërsa Kalmar i gëzohet mbrojtësit të saj të ri, që jep shenjat e para, që do të jetë një blerje me vlerë.
Kjo ishte ndeshja debutuese për Fidan Alitin, i cili la Skënderbeun dhe u largua në drejtim të Suedisë pak ditë më parë.
Mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës ishte një nga lëvizjet më të rëndësishme në merkato gjatë muajit që lam pas, teksa tashmë pritet të shfaq vlerat e tij edhe në kampionatin suedez. /FaktePlus