Debati kaotik Trump-Biden, vendim për ndryshim formati: Të mbyllet mikrofoni
Komisioni i Debateve Presidenciale thotë se do të shtojë “masa të reja” për të ruajtur rregullin” në debatet e ardhshme pas debatit të parë kaotik mes Presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat, Joe Biden.
Një prej masave të reja mund të jetë fikja e mikrofonit nëse kandidatët ndërpresin njëri-tjetrin.
Ndërprerjet e vazhdueshme nga ana e Trump ndërsa fliste kandidati demokrat, përcaktuan tonin e debatit të martën. Biden shpesh nuk arrinte të mbaronte dot fjalinë.
Moderatori Chris Wallace i televizionit Fox News i kërkoi disa herë zotit Trump që të lejonte zBiden të mbaronte, por pa rezultat.
Biden tha në një takim fushate të mërkurën se shpresonte që organizatorët e debateve të ardhshme të mund të mbyllnin mikrofonin e kandidatit që nuk ishte duke folur.
“Ishte një turp kombëtar. Nuk dua të spekuloj se çfarë do të ndodhë në debatin e dytë ose të tretë”, tha ai.
Presidenti Trump reagoi në Twitter duke postuar një lajm për njoftimin e Komisionit të Debateve Presidenciale, shoqëruar me komentin:
“Provoni të merrni një moderator të ri dhe një kandidat më të zgjuar demokrat”.
Ai e kishte kritikuar edhe më herët në Twitter gjatë ditës, moderatorin e debatit, Wallace.
Komisioni i Debateve Presidenciale e falenderoi zotin Wallace “për profesionalizmin dhe aftësitë e tij në debatin e natës së kaluar”.
Ndërkohë fushata e Trump reagoi ndaj njoftimit, duke thënë se Komisioni “nuk duhet të ndryshojë rregullat e lojës në mes” të procesit.
Komisioni jopartiak ka organizuar çdo debat për zgjedhjet presidenciale që nga viti 1988. Në një deklaratë, komisioni tha se debati i parë “e bëri të qartë se duhen bërë ndryshime në strukturën e formatit të debateve të ardhshme, për të garantuar një diskutim më të rregullt të çështjeve”.
Komisioni tha se “synon të sigurojë instrumente shtesë për të ruajtur rregullin për debatet e tjera”.
Komisioni thotë gjithashtu se po “shqyrton me kujdes ndryshimet që do të miratojë dhe do t’i bëjë ato të njohura së shpejti”.