De Biasi flet për transferimin e Amir Rrahmanit te Verona, me 2016 e la jashtë evropianit
Të flasësh për dikë është shumë e lehtë, sidomos të paragjykosh, por ndonjëherë është mirë që gjërat të thuhen ashtu si janë për t’u thënë. Amir Rrahmani ka gjetur akordin me Verona dhe do të trasnferohet në Serie A sezonin tjetër, për të hedhur atë hapin e madh nga Shqipëria në Kroaci dhe tashmë Itali.
Italianët janë kuriozë të njohin potencialin e mbrojtësit të Kosovës dhe faqja “calciohellas.it” ka pyetur me këtë rast Gianni de Biasin dhe ndoshta në padijeni, ka harruar një fakt: ish-trajneri i Shqipërisë ishte ai që e la në shtëpi dhe nuk e mori në Europianin 2016, duke e shtyrë kështu te Kosova.
Një gabim që ishte duke ndodhur edhe me Berat Djimsiti, por ky i fundit edhe pse i hidhëruar dhe zhgënjyer, nuk e braktisi Shqipërinë… Tani, De Biasi flet për Rrahmanin dhe tregon potencialin e mbrojtësit, me superlativa. Po a nuk ishte De Biasi ai që e hoqi qafe?
“Është një mbrojtës shumë i fortë fizikisht dhe i mirë në lojën në ajër. Nuk është i shpejtë në metrat e para, por në përgjithësi është i mirë. Ka cilësi shumë të mira teknike dhe është shumë i mirë në fazat e sulmit, në situata jo aktive. Është një djalë shumë i mirë, i gatshëm të shkojë në Itali”.
“Nuk kam ndonjë anekdotë kurioze. Ai është një djalë i cili me të vërtetë dëshiron të mesoj”. /FaktePlus