Danimarka: Nënvarianti i Omicronit duket më ngjitës, por jo më i ashpër
Ministri danez i Shëndetësisë, Magnus Heunicke, tha të mërkurën se nënvarianti i variantit Omicron të koronavirusit, i njohur si BA.2, duket më ngjitës se varianti fillestar, por jo më i rëndë.
“Nuk ka dëshmi që varianti BA.2 shkakton më shumë sëmundje, por duhet të jetë më ngjitës”, tha Heunicke në një konferencë për gazetarë.
Në nivel global, nënvarianti fillestar i Omicronit, BA.1, përbën 98 për qind të të gjitha rasteve me Omicron, por në Danimarkë mbizotëron nënvarianti BA.2, që e zuri vendin e parë në javën e dytë të janarit, shkruan Reuters.
Autoriteti më i lartë për sëmundje ngjitëse në Danimarkë, Instituti “Statens Serum”, tha të mërkurën se, sipas vlerësimeve fillestare, nënvarianti BA.2 mund të jetë 1.5 herë më ngjitës se nënvarianti BA.1 i Omicronit.
Megjithatë, analiza fillestare e këtij instituti nuk shfaqi ndonjë dallim sa i përket rrezikut për hospitalizim nga nënvarianti BA.2 në krahasim me nënvariantin BA.1.
“Janë disa shenja që ai është më ngjitës, sidomos për personat që nuk janë vaksinuar, por ai gjithashtu mund t’i prekë njerëzit e vaksinuar në shkallë më të lartë”, tha Tyra Grove Krause, drejtoreshë teknike në institutin e sëmundjeve ngjitëse.
Ndryshe, raste të të infektuarve me këtë nënvariant janë regjistruar edhe në Britani të Madhe, Suedi e Norvegji, por në shkallë shumë më të ulët se në Danimarkë.