Daçiq: S’ka dialog pa heqjen e reciprocitetit
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, duke komentuar vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë së Kosovës në detyrë, përmes së cilit ndalohet hyrja në Kosovë për mallrat nga Serbia të cilat nuk e kanë të shënuar në dokumente “Republika e Kosovës”, tha se kjo është e papranueshëm për Serbinë.
Shefi i diplomacisë serbe, duke folur sot në televizionin publik serb RTS, tha se Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun derisa këto masa nuk shfuqizohen.
Daçiq vlerëson se ndalimi i hyrjes së mallrave nga Serbia pa dokumente kë shkruan destinimi “Republika e Kosovës”, është masë më e keqe sesa ishte taksa prej 100 për qind për mallrat serbe.
“Kjo është masë reciprociteti, që ndoshta as qytetarët e Serbisë dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk e njohën si masë edhe më të keqe sesa taksa, e cila e dyfishoi çmimin e mallrave, por që të paktën kalonte. Kjo qeveri në Prishtinë mori vendim të aplikojë masa reciprociteti, që nga disa vende u përshëndet si një hap përpara. Ne menjëherë thamë se kjo është e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm serb.
Sipas tij, me pranimin e këtyre masave, Serbia do ta njihte Kosovën.
“Ne nuk kemi ndërmend të vazhdojmë dialogun derisa të hiqen taksa dhe reciprociteti. Kjo është e papranueshme për ne dhe mohim i të gjitha marrëveshjeve. Me të drejtë presim një reagim nga bashkësia ndërkombëtare. Richard Grenell reagoi ndaj kësaj edhe më herët dhe tha se aplikimi i reciprocitetit është anashkalim i heqjes së taksës”, tha ai.
“Dialogu është në fazën kur nuk është ekziston dhe në tërë këtë situatë faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë u përpoqën t’i japin frymëmarrje artificiale dialogut, Merkel, Macron. Qasja e administratës amerikane është e ndryshme nga qasja e Bidenit dhe Hillary Clinton”, tha ministri i Jashtëm serb.
Duke komentuar qeverinë e re që duhet të formohet në Prishtinë, Daçiq thotë se këto janë gjëra në të cilat Serbia nuk mund as nuk dëshiron të ndikojë.
“Cilado qeveri [e Kosovës] duhet të deklarohet nëse t’iu përmbahet apo jo të gjitha marrëveshjeve. Ata janë të gjithë të njëjtë”, thotë ai.
“Ata duan pavarësinë e Kosovës, ata duan që Serbia ta pranojë atë. Dhe kjo nuk është dialog dhe ne nuk e pranojmë atë. Ata nuk i kuptojnë ndryshimet që kanë ndodhur, ata presin që komuniteti ndërkombëtar t’u sjellë atyre gjithçka që presin”, tha ministri i jashtëm.
Shefi i diplomacisë serbe thotë se “Prishtina po sillet si një fëmijë i përkëdhelur, i cili është mësuar që bashkësia ndërkombëtare t’ia përmbushë të gjitha dëshirat e mundshme”.
“Sot nuk është më ashtu, Dhe kjo varet nga ajo se sa e fortë, e qëndrueshme dhe e bashkuar do të jetë Serbia. Dhe pozicioni ynë është jashtëzakonisht i fortë. Nuk ka asnjë bisedë derisa të shfuqizohen masat e reciprocitetit. Serbia nuk do ta njohë Kosovën. Ajo dëshiron dialog, kompromis. Nëse ata mendojnë se kompromis është që Serbia ta njoh Kosovën, kjo nuk mundet”, tha Daçiq, përcjell Telegrafi.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës në detyrë ka mbajtur një mbledhje online në orët e vona të së shtunës, ku ka marrë vendim për të ndryshuar dhe plotësuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë.