Daçiq: Nuk e kemi ndalur fushatën e çnjohjeve, është “rrenë e madhe”
“Serbia nuk e ka ndalur fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës”, tha Daçiq, për të mohuar pretendimet e disa medieve, që bazoheshin në burime nga Brukseli.
Pas bisedimeve me presidentin e Serbisë Vuçiq, Ivica Daçiqi tha se kjo ishte një “rrenë e madhe”.
“Serbia publikisht ka thënë për vite me radhë se do ta ndalë fushatën për tërheqjen e njohjeve vetëm nëse të gjithë ndalin fushatën për njohjen e Kosovës, dhe bashkimin e saj në organizata ndërkombëtare. Meqë kështu nuk po ndodh, Serbia nuk do ta ndalë këtë fushatë. Kur të ndalen ata, do të ndalemi edhe ne,” tha Daçiq në një deklaratë për Tanjug.
Sipas raportimit të sotëm, diplomatë nga Brukseli kishin vlerësuar se të dyja palët duhej të kontribuonin në rinisjen e dialogut.