Daçiq: Kompromisi Kosovë-Serbi të jetë zgjidhja më pak e keqe për dy palët
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është joreale që të pritet njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Beogradi zyrtar.
“Është absolutisht joreale nëse dikush pret që Serbia ta njohë nën presion atë (Kosovën) si të pavarur” , ka thënë ai, shkruan ‘telegraf’.
Tutje ai ka thënë se edhe situata në terren nuk e mundëson një gjë të tillë pasi siç pretendon Daçiq “as Kosova e as Serbia nuk i kontrollojnë territoret e tyre”.
“As Prishtina nuk e kontrollon gjithë territorin e Kosovës, as Serbia nuk e kontrollon gjithë territorin e vet siç është e definuar në kushtetutë”, ka thënë Daçiq.
Ndërkohë sa i përket marrëveshjes finale, Daçiq ka thënë se është i nevojshëm një kompromis ‘jo-standard’ mes Prishtinës dhe Beogradit, që nënkupton zgjidhjen më pak të keqe për të gjithë.