Covid-19, shkencëtarët: Vaksina nuk do kthejë jetën në normalitet në pranverë
Shkencëtarë të njohur kanë paralajmëruar sot se edhe një vaksinë e suksesshme e koronavirusit nuk do ta kthejë jetën në normalitet.
Ndërkohë bota po pret që vaksina të jetë “kupa e shenjtë” që do t’i japë fund pandemisë.
Një raport i hartuar nga shoqëria mjekësore britanike Royal Society thotë se duhet të jemi “realistë” për atë që vaksina mund të arrijë dhe kohën kur mund ta arrijë.
Më shumë se 200 tipe vaksinash për mbrojtjen nga virusi po zhvillohen nga shkencëtarët në të gjithë botën, në një proces që po kryhet me shpejtësi të paprecedentë.
“Vaksina ofron shpresa të mëdha për fundin e mundshëm të pandemisë, por ne e dimë se historia e krijimit të vaksinave është e mbushur me dështime”, tha Dr Fiona Culley, e departamentit mjekësor të universitetit Imperial College London.
Ka mjaft optimizëm se procesi i vaksinimit masiv do të nisë në fillim të vitit që vjen, por raporti i Royal Society paralajmëron se procesi do të jetë i gjatë.
“Edhe kur vaksina të jetë e gatshme kjo nuk do të thotë se për një muaj të gjithë njerezit do të jenë të vaksinuar, kjo do të kërkojë gjashtë muaj, nëntë muaj … një vit,” tha Prof Nilay Shah, kreu i inxhinierisë kimike në Imperial College London.
“Nuk bëhet fjalë për një rikthim të papritur në normalitet në mars.”
Dyshime mbeten për materialet e lëndës së parë dhe kapacitetin frigoriferik, pasi disa vaksina kërkojnë magazinim në temperatura prej minus 80C.
Prof. Shah llogarit se vaksinimi i njerëzve do të kryhet me shpejtësi 10 herë më të madhe sesa sezoni i përvitshëm kundër gripit dhe do të ishte një punë me kohë të plotë për 30,000 staf mjekësor të trajnuar.
Të dhënat e hershme tregojnë se vaksinat vërtet po aktivizojnë reagim të sistemit imunitar, por studimet ende nuk kanë treguar nëse kjo është e mjaftueshme për mbrojtjen apo ndalimin e përhapjes së Covid-19.
Prof Charles Bangham, kreu i imunologjisë në Imperial College tha: “Ne thjesht nuk e dimë se kur do të jetë e gatshme vaksina efektive, sa efektive do të jetë dhe sa shpejt mund të shpërndahet”.
“Edhe nëse është efektive nuk ka gjasa të kthehemi menjëherë në normalitet. Do të jetë si një zbritje shkallësh, ne gradualisht do të reduktojmë ndërhyrjet e tjera”.
Duke komentuar mbi studimin Dr Andrew Preston nga University of Bath, tha: “Duket qartë që vaksina po portretizohet si ‘plumbi i argjendtë’ që do të jetë shpëtimi ynë, por ky proces nuk është i menjëhershëm.
“Ka ende shumë pyetje, si njerëzit apo familjarët që nuk pranojnë të marin vaksinën. A do të lihen ata në dorë të fatit apo do të kryhet vkasinimi i detyruar i fëmijëve në shkolla?”