COVID-19 ende prezent në FSK: Katër ushtarë pozitivë, 11 të tjerë në vetizolim
Pandemia e koronavirusit që ka prekur gjithë globin po vazhdon të jetë prezent ende në mesin tonë. Madje numri i rasteve me COVID-19 ka filluar të rritet kohëve të fundit.
Për shkak të rritjes së rasteve të reja me koronavirus, disa vende në Evropë kanë shtrënguar masat për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi.
Vende në gjithë Evropën kanë shtrënguar masat derisa rastet me COVID-19 po shënojnë rritje rekorde të raste.
E rritje të ngjashme është duke ndodhur edhe në vendin tonë në Kosovë.
Vetëm dje Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se janë konfirmuar 205 raste të reja me COVID-19. Kësisoj numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus ka arritur në 18 mijë e 148.
Si pasojë e infektimit me këtë virus nga marsi deri më tani kanë humbur jetën 666 persona.
COVID-19 tashmë pothuajse ka prekur çdo institucion të vendit. Infektimi preku edhe Ushtrinë e vendit FSK-në.
Nga kjo ministri kanë bërë me dije se për momentin nuk ka numër të lartë të udhëtarëve të infektuar me COVID-19.
Nga Ministria e Mbrojtjes për FaktePlus kanë konfirmuar se në këtë Institucion janë vetëm 4 pjesëtarë pozitivë me COVID-19.
Ibrahim Shala, drejtor i Departamentit për Marrëdhënie me Publikun, ka thënë se në FSK nuk ka ndonjë shqetësim dhe se situata është në kontroll.
“Aktualisht në FSK janë 4 pjesëtarë pozitiv me COVID-19, asnjë nuk është i shtruar në spital, gjendja e tyre është e mirë. Kurse 11 janë raste kontakti dhe janë në vetë izolim dhe nuk kanë ndonjë shqetësim”, është shprehur ai.
Ndryshe, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 18 mijë e 148 raste nga 88 mijë e 090 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 666 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 62 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15.150 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.332.
Nga Ministria e Shëndetësisë së fundi janë publikuar të dhënat e përgjithshme sa i përket situatës së krijuar nga ky virus në vend.
Komuna me më së shumti raste aktive në vend është Prishtina, saktësisht 941 raste aktive, ku numri i përgjithshëm i të infektuarve është 5.875.
Pas kësaj renditet Gjilani, me 220 raste aktive dhe 1 mijë e 314 të infektuar gjithsej./FaktePlus