CNN: Kështu mund të duket fundi i pandemisë
Nuk ka gjasa që Shtetet e Bashkuara, e lëre më bota, të jenë në gjendje të eliminojnë plotësisht koronavirusin, shkruan CNN.
Por do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më pandemi, kur rastet nuk do të dalin më jashtë kontrollit dhe spitalet nuk do të jenë më në rrezik të lartë për t’u mbipopulluar me pacientë. Shumë ekspertë parashikojnë se në të ardhmen, koronavirusi do të sillet si një grip sezonal.
Por është më pak e qartë se si dhe kur do të ndodhë kjo.
“Nuk ka kritere të qarta që mund të tregojnë nëse diçka është epidemi apo pandemi. Është e gjitha në sytë e vëzhguesve – dhe kjo është pjesë e problemit”, thotë Dr. Arnold Monto, profesor i epidemiologjisë në Universitetin e Miçiganit dhe kryetar i Komitetit Këshillimor për vaksinat dhe produktet e lidhura biologjike të Administratës së Ushqimit dhe Barnave të SHBA-së.
“Pra, e gjithë kjo nuk bazohet në rregulla. Zakonisht bazohet në atë që duhet të bëni për t’i kontrolluar shpërthimet dhe përhapjen”, tha Monto. “Ajo që është e ndryshme në rastin e një epidemie të koronavirusit është se vaksinat janë shumë më efektive sesa ato që shohim zakonisht”, shton ai.
Lajmi i mirë për Mont është fuqia e vaksinës. Lajmi i keq vjen me aftësinë e virusit për të ndryshuar dhe evoluar. “Askush nuk mund të parashikojë se si mund të duket e ardhmja e Covid-19 dhe shfaqja e varianteve të koronavirusit, si Delta, e ka zhvendosur trajektoren”, tha ai.
“Meqë variantet janë shfaqur – unë e quaj paradë variantesh – tani shohim një transmetim shumë më të gjerë dhe përhapje shumë më të barabartë globalisht. E bën të vështirë shpalljen e fundit të pandemisë”, tha Monto.
Faza endemike
Monto dhe drejtues të tjerë të shëndetit publik parashikojnë se në të ardhmen, bota mund të gjurmojë përhapjen e SARS-CoV-2, virusit që shkakton Covid-19, në një mënyrë të ngjashme me atë të monitoruar nga gripi sezonal.
“Nuk e kemi idenë nëse do të shohim një model të tillë sezonal me SARS-CoV-2, por na kujton se shumica e viruseve tona të frymëmarrjes kanë filluar të sillen si ngjarje sezonale”, tha Monto.
“Nëse SARS-CoV-2 ka filluar të sillet kështu, ne nuk e dimë, por na jep të paktën një skenar që mund të fillojë të sillet kështu”, shton ai. Siç thotë ai, ne “duhet të presim dhe të shohim” për të zbuluar se si mund të duket faza endemike e koronavirusit.
Endemike do të thotë që sëmundja ka një prani të vazhdueshme në popullatë – por nuk prek një numër jashtëzakonisht të madh njerëzish siç shihet zakonisht në një pandemi. Edhe në fillim të vitit 2020, ndërsa pandemia u intensifikua, zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë parashikuan se koronavirusi i ri “mund të bëhet një tjetër virus endemik në komunitetet tona” dhe nuk do të largohej kurrë.
“Kur mendoni për pandemitë, jeni në fazën e pandemisë, dhe më pas keni fazën e ngadalësimit, atëherë keni fazën e kontrollit, dhe më pas shpresojmë ta kemi eliminimin, dhe ndoshta çrrënjosjen e virusit”, tha Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të SHBA-së për sëmundjet infektive.
“Shpresojmë ta zvogëlojmë virusin në sasi kaq të vogla që, megjithëse nuk do të eliminohet plotësisht, nuk do të ketë ndikim të madh në shëndetin publik ose mënyrën se si ne e drejtojmë jetën tonë”, tha Fauci.
Ndërsa Departamenti Amerikan i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore rinovoi vendimin e tij muajin e kaluar se një gjendje e jashtëzakonshme ekziston ende në Shtetet e Bashkuara, zyrtarët federalë të shëndetësisë po shqyrtojnë tashmë se si ta masin fundin e pandemisë dhe si ta vazhdojnë monitorimin e koronavirusit pasi situata të bëhet endemike.
“Ka ende shumë për të bërë”
Për kalimin nga një fazë pandemie në një fazë endemike, një komb duhet të ndërtojë imunitet ndaj koronavirusit, që do të thotë se shumë njerëz duhet të vaksinohen, tha për CNN Dr. Philip Landrigan, pediatër dhe epidemiolog në Kolegjin e Bostonit. Meqenëse disa amerikanë ende refuzojnë të vaksinohen dhe disa refuzojnë të mbajnë maska, tranzicioni mund të marrë kohë, transmeton Express.
Aktualisht, rreth 58% e popullsisë totale të SHBA-së është plotësisht e vaksinuar kundër Covid-19.
“Ne duhet të arrijmë mbi 80%, ndoshta edhe mbi 90% të popullsisë me imunitet”, tha Landrigan, i cili punoi në CDC-në për 15 vjet.
Për ta kontrolluar përhapjen e virusit të fruthit, për shembull, në popullatën amerikane, “na duhej ta ngrinim shkallën e imunitetit mbi 95%, madje edhe atëherë kishim epidemi sporadike. Këto epidemi zakonisht ndodhin kur keni një grup njerëzish në një vend të veçantë që nuk janë të imunizuar”, tha Landrigan. “Por nuk është epidemi. Është një pikë e nxehtë”, shton ai.
Për momentin, CDC thotë se ka ende shumë punë për të bërë për ta parandaluar përhapjen aktuale të koronavirusit.
“Ne e dimë se mbetet shumë për të bërë për ta ndaluar përhapjen e Covid-19 dhe për ta ndaluar pandeminë. Ne ende po regjistrojmë shumë raste të reja, shtrime në spital dhe vdekje. Mesatarja ditore e rasteve është mbi 70,000 me më shumë se 1,000 vdekje. Kjo është arsyeja pse ne inkurajojmë të gjithë mbi 5 vjeç që të vaksinohen për t’i mbrojtur ata nga Covid-19”, shkroi zëdhënësja e CDC, Kristen Nordlund në një email për CNN javën e kaluar.
Ashtu si lufta kundër gripit?
“Është e rëndësishme të vazhdoni t’i praktikoni masat parandaluese që ne e dimë se funksionojnë – vaksinimi, mbajtja e maskës në publik, brenda, qëndrimi në shtëpi kur jeni të sëmurë dhe larja e duarve shpesh”, shtoi ajo.
CDC rekomandon që pothuajse të gjithë mbi moshën 6 muajsh të vaksinohen kundër gripit çdo vit. Por gjatë sezonit të gripit 2019-2020, vetëm rreth gjysma e këtyre njerëzve – 51.8% – ishin vaksinuar, sipas CDC.
Agjencia vlerëson se gripi shkaktoi rreth 12,000 deri në 52,000 vdekje çdo vit midis 2010 dhe 2020. Koronavirusi ka marrë më shumë se 750,000 jetë njerëzish në Shtetet e Bashkuara deri më tani.
Beteja kundër koronavirusit çdo vit mund të duket në të ardhmen si një luftë e përvitshme kundër gripit.
“Ne kemi menduar shumë se si duket faza endemike dhe të dhënat që duhet të mbledhim gjatë asaj faze. Sigurisht, ne po mbledhim të dhëna për rastet, shtrimet në spital, vdekjet tani”, tha Dr. Rochelle Walensky, drejtoreshë e Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Si do të duket e ardhmja me koronavirusin?
CDC punon me departamentet shëndetësore, laboratorët, spitalet dhe ofruesit e kujdesit shëndetësor për t’i monitoruar rastet e diagnostikuara të gripit, për të përcaktuar se cilët viruse të gripit qarkullojnë dhe për ta matur ndikimin që këto viruse e kanë në shtrimet në spital dhe vdekjet.
Një ide është që kur një koronavirus bëhet endemik, një sistem i ngjashëm monitorimi përdoret gjithashtu për të.
“Ne mund të ndjekim raste si me gripin sezonal – ku mund të themi se e dimë se do të shohim shumë raste në sezonin e dimrit dhe mund të jemi të përgatitur për t’u përballur me të, ndryshe nga goditjet me të cilat përballemi gjatë pandemisë së sotme”, tha Dr. Stephen Parodi për CNN.
“Ne kemi ende shumë punë për të bërë për të arritur atje ku duam të jemi dhe mendoj se do ta shohim këtë tranzicion gjatë vitit 2022. Por për disa zona, ku ka më pak imunitet, do të duhet edhe më shumë”, shton ai.
“Ne e dimë se do të ketë raste”, tha Monto. “Ne kemi pasur tashmë përvoja me pandemitë e gripit. Kështu që ne e dimë se si sillen zakonisht. Kjo është një situatë që po evoluon me një patogjen krejtësisht të ri”, përfundon ai.