Çmimet e importit shënojnë ngritje
Indeksi i tërësishëm i çmimeve të mallrave të ardhur nga importi në Kosovë është ngritur 2.2 % në tremujorin e katërt të vitit të kaluar krahasuar me tremujorin paraprak të po atij viti, dhe ngritja më e lartë ishte te lëkura dhe artikujt e saj me 14.0 %, shtazët e gjalla dhe prodhimet prej tyre 8.5%, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, dhe mekanizmat e orës me 6.6%.
Sipas asaj që është publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) shihet se ngritje ka pasur edhe për prodhimet bimore me 6.3%, mandej prodhimet minerale 5.5%, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike 3.8%, letra dhe artikujt e saj 2.4%, metalet bazë dhe artikujt prej tyre 1.3%, plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (1.3%), artikujt e gurit, llaçit, prodhimet e qeramikës dhe të qelqit 0.3%, etj.
Sipas Indeksit të Çmimeve të Importit për tremujorin e katërt 2018, të publikuar sot nga ASK, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te tekstili dhe artikujt e tij me 3.6%, vajrat ushqyese 1.2%, këpucët 0.4% dhe artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 0.4%.
Ndërkaq, krahasuar TM4 2018 me TM4 2017, çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 3.9%.
Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin prodhimet minerale (20.7%), lëkura dhe artikujt e saj (15.5%), plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (7.2%), instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (6.9%), shtazët e gjalla dhe prodhimet e tyre (5.6%), druri dhe artikujt e tij 4.0%, etj.
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te këpucët me 10.1%, prodhimet bimore 8.6%, tekstili dhe artikujt e tij 7.2%, vajrat ushqyese 3.2% dhe artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 0.4%./FaktePlus