Çka thotë rezoluta e Qeverisë për çmimet e produkteve bazë?
Pas ngritjes së çmimit të pothuajse çdo artikulli ushqimor në Kosovë muajve të fundit, vazhdimisht është kërkuar të miratohen masa të menjëhershme nga Qeveria, që t’iu dilet në ndihmë qytetarëve.
Njëra nga këto masa që përflitej ishte edhe vendosja e një tavani të çmimeve për produktet bazë ushqimore.
Kështu, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar një rezolutë që synon adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë, rezolutë kjo e cila dje është votuar me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Gjithsej 61 vota të deputetëve ishin për miratimin e kësaj rezolute, e cila ndër tjerash kërkon marrjen e masave të menjëhershme nga Qeveria për adresimin e rritjes së çmimeve, si dhe monitorimin rigoroz ndaj tregtarëve abuzues.
Buletini Ekonomik ka siguruar këtë rezolutë të Qeverisë, përmes së cilës pritet të ketë mbikëqyrje tek çmimet e produkteve bazë.
Në mbishkrimin kryesor në këtë rezolutë, thuhet se Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë.
Përveç kësaj, Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues.
Ndryshe, nga Qeveria është paralajmëruar edhe një ligj për caktimin e marzhës së fitimit maksimal për produktet bazë, sikurse kufiri maksimal i çmimit të derivateve muajin e kaluar, që ishte caktuar nga Ministria e Tregtisë çdo ditë.