Çka parashihet në ndarjen buxhetore të 2025-tës?
Pas miratimit të Projekt-buxhetit për vitin 2025 nga Qeveria e Kosovës, që parashikohet të jetë saktësisht 3 miliardë e 608 milionë euro, dhe bërjes publike nga kreu i Qeverisë i parashikimeve të shpërndarjes së tij, publiku por edhe njohësit e rrethanave buxhetore, do të duhej të kenë krijuar njohuritë e para, por edhe përshtypjet e vizioneve buxhetore zyrtare për vitin që po vjen. Që në fillim, Kurti tha se krahasuar me buxhetin e vitit të kaluar, ka rritje për rreth 300 milionë euro apo 8.87 për qind, duke shtuar se me “miratimin e këtij projekt-buxheti po shënojnë rekord historik si qeveria e parë që e çon mandatin deri në fund dhe miraton katër buxhete vjetore”.
Kurti, të mërkurën (30 tetor 2024), në vija të trasha, pak a shumë, ka bërë me dije se si do të ndahen mjetet e buxhetit 2025, cilët sektorë do të favorizohen, ku do të shkojnë këto mjete më shumë dhe cili sektor do të përfitojë më pak para buxhetore. Si rëndom, edhe nga buxheti 2025, hisja më e madhe e kulaçit buxhetor është e dedikuar për pagat e sektorit publik. Vitin e ardhshëm për pagat e administratës shtetërore, të punonjësve të të gjitha niveleve të arsimit dhe të gjithë të tjerëve që renditen te sektori publik janë dedikuar, sipas Kurtit, saktësisht 961.5 milionë euro, duke përfshirë edhe rritjen e pagave që që u parashikua ditë më parë.
Edhe me buxhetin e vitit vijues ndër përfituesit më të mëdhenj parashihen të jenë investimet kapitale, të cilat kryeministri Albin Kurti, madje i specifikoi në mbledhjen e fundit të Qeverisë si “investimet kapitale në infrastrukturë”, për çka janë paraparë 930 milionë euro. Këto para, siç tha kryeministri “do të shkojnë në rehabilitim e ndërtim të hekurudhave dhe ndërtim të rrugëve rajonale e autostradave, rruga Prizren-Tetovë, hekurudha që lidhë Prishtinën me Portin e Durrësit, por edhe lidhja e aeroportit me hekurudhë e linjë të trenit.
“Investimet do t’i vazhdojmë edhe në pjesën veriore të vendit”, tha tutje Kurti, por pa saktësuar shumën e mjeteve financiare që do të investoheshin në këtë pjesë të vendit.
“Edhe buxhetin për mbrojtje e kemi rritur. Për vitin 2025, që në fillim buxheti i mbrojtjes do të shënojë nivelin prej 2 për qind të Bruto Produktit Vendor me nivelin prej 208 milionë euro”, tha Kurti.
Ndërkohë, buxheti i komunave do të jetë 788 milionë euro. Siç u bë publike, për nevojat e shëndetësisë janë planifikuar që 105 milionë, 87 milionë euro janë planifikuar për nevoja të sigurisë e të mbrojtjes dhe siç ka specifikuar Kurti, do të shkojnë në municion, pajisje e furnizime të nevojshme. Kurse 100 milionë euro tjera tha se janë buxhetuar për mbulimin e rritjes së pensioneve.
“Për pensionistët tanë kemi buxhetuar edhe 100 milionë euro tjera shtesë për të mbuluar rritjen e pensioneve prej 20 për qind. 60 milionë euro të tjera janë shtuar tek skema e shtesave për fëmijë për të mbuluar rritjen e shtesave që e bëmë para tre muajsh”, njoftoi kreu i ekzekutivit të vendit.
“Rritje të buxhetit ka pasur edhe për komunat. Me gjithsej 788 milionë euro, komunat do të kenë mbi 240 milionë euro më shumë mbështetje se që kishin para se ne ta merrnim mandatin. Për komunat do të ketë edhe mbështjetje shtesë përmes grantit të performancës”, ka premtuar Kurti.
Pas njoftimeve të Kurtit, pa humbur kohë, po të mërkurën, edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë me dije se buxheti për investime kapitale për vitin 2025 do të jetë 930 milion euro.
“Buxheti per investime kapitale në vitin 2025 do të jetë 930 milionë euro”, ka shkruar Murati në Facebook.
Sidoqoftë, edhe pse i rritur për rreth 300 milionë euro, apo 8.87 për qind, krahasuar me buxhetin aktual (të 2024-tës, pra) buxheti vijues nuk është se imponohet për ndonjë shifër impozante të dedikuar për ndonjë sektor të veçantë më të rëndësishëm të specifikuar. Kosova duhet të zhvillohet dhe të rritet ekonomikisht nga viti në vit. Ndërsa për arritur synimet më progresive zhvillimore, duhet më shumë investime për çdo vit. Në këtë kontekst, në vitin 2025 janë paraparë jo shumë para mbi parashikimet e buxhetit të sivjetshëm (më 2023, 811 milionë euro kanë qenë të planifikuara të jenë investimet kapitale, ndërsa më 2024 pak më shumë se më 2023).
Ndërsa, pos apostrofimit se mjetet buxhetore të dedikuara për investime kapitale “do të shkojnë në rehabilitim e ndërtim të hekurudhave dhe ndërtim të rrugëve rajonale e autostradave, rruga Prizren Tetovë, hekurudha që lidhë Prishtinën me Portin e Durrësit, por edhe lidhja e aeroportit me hekurudhë e linjë të trenit”, në mbedhjen e Qeverisë nuk u veçua ndonjë projekt tjetër i domosdoshëm zhvillimor, që do të krijonte favore dhe efekte më të shpejta të zhvillimit ekonomik siç janë: prodhimi, teknologjia e informacioni, energjetika dhe industria përpunuese. Shuma buxhetore e dedikuar për investime kapitale në 2025-tën (930 milionë euro, plus buxheti i komunave, që do të jetë 788 milionë euro), realisht për Kosovën e vogël është goxha imponuese për mundësitë që krijojnë këto mjete financiare për të realizuar projekte konkrete të efektshme ekonomike. Por, as kryeministri, as ministri Murati, në shkoqitjen e tyre të shpërndarjes së mjeteve të buxhetit 2025, pos parashikimit për “rehabilitim e ndërtim të hekurudhave dhe ndërtim të rrugëve rajonale e autostradave dhe hekurudhës”, nuk përmendën ndonjë investim të vlefshëm kapital të pritshëm me prioritet, as ndërtimin e ndonjë kapaciteti prodhues që do të gjeneronte vende të reja pune, as ndonjë partneritet serioz publiko-privat të rëndësishëm për ekonominë e vendit. Nuk u apostrofua as ndërtimi i ndonjë kapaciteti të prodhimit të energjisë së rinovueshme, qoftë në bazë të erës, qoftë solare, për çka Kosova ka përcaktuar objektiva konkrete me megavatë të mundshëm dhe me afate të realizimit të këtyre projekteve.
Sot e kësaj dite, për shkaqe të ditura dhe të pa ditura, Kosova ka mbetur ndër shtetet e vetme në rajon që akoma nuk ka një kapacitet prodhues domethënës të energjisë solare dhe ka vetëm 2 kapacitete të prodhimit të energjisë në bazë të erës. Dhe në këtë mënyrë, është shumë e shumë larg përmbushjes së objektivave të vijëzuara edhe me Strategjinë energjetike 2022-2031, për pasjen e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme gjatë tranzicionit energjetik dhe dekarbonizimit të Kosovës, që është obligim ndërkombëtar dhe i miratuar edhe nga autoritetet e Republikës sonë. Prandaj, ndërtimi i një kapaciteti të energjisë së rinovueshme, tashmë është urgjencë, dhe është e mundshme të realizohet, edhe nga mjetet e dedikuara për investime kapitale të 2025-tës.
Kosova edhe me gjendjen aktuale financiare të brishtë dhe me mungesë të ndjeshme parash, ka mundësi edhe me mjete vetjake të ndërtojë një kapacitet të energjisë solare. Është absurde për të pritur pafundësisht heqjen e masave ndëshkuese nga ndërkombëtarët për të pasur kapacitetet e premtuara dhe të nisura së realizuari, fati i të cilave është bërë i mjegullt për shkak të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Hartuesit e ndarjeve buxhetore të 2025-tës, me paratë e dedikuara për investime kapitale, gjithsesi, do të duhej të parashikonin nisjen e ndërtimit të ndonjë kapaciteti energjetik nga burimet e rinovueshme. Një kapacitet 100 megavatësh, qoftë nga era, qoftë nga energjia solare, Kosova, sado e varfër që është, gjithmonë ka pasur të gjitha mundësitë vetjake ta ndërtojë ndonjë projekt të energjisë solare, për çka parashihet më pak kohë për ta realizuar, por edhe me më pak mjete financiare se sa bie fjala një kapacitet me kapacitet përafërsisht të njëjtë me energji nga era. Thjesht, po të kishte më shumë vendosmëri dhe vizione zhvillimore, mundësitë janë edhe te parashikimet buxhetore për investimet kapitale në vitin në vijim. Mundësi ka, pra. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin troll i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Ka edhe kuadro të aftësuar të këtij sektori, siç përflitet në shumë mjedise zhvillimore.
Ndërtimi i një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohet për një vit, dhe që mund të sigurojnë goxha sasi të energjisë, qoftë për ngrohje, qoftë për furnizimin e Kosovës me rrymë, do të bënte jehonën e mirë në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk mund të mohonte se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë me retorikën se kosovarët sikur nuk po duan të shkëputen nga thëngjilli që e kanë me bollëk dhe në sipërfaqe të tokës. Prandaj, ka qenë më së e nevojshme të parashihet ndërtimi i një kapaciteti të energjisë së ripërtëritshme edhe me buxhetin e 2025-tës.
Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me fuqi 105 megavatësh dhe me 27 turbina, është ndërtuar me një kosto diku 180 milionë euro, që do të thotë se për të janë investuar pak më shumë mjete financiare se sa qeveria ka dedikuar për zgjidhjen momentale të krizës, ose për blerjen e përkohshme të energjisë së munguar elektrike. Ndërkohë, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u që është paraparë të ndërtohet në tokën djerrë me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), siç u tha më lartë, do të ndërtohej ndjeshëm me më pak para se kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës. Kështu dhe këto janë vetëm një nga mundësitë e shumta për investimet kapitale, edhe në Kosovën e varfër dhe me shumë brishtësi financiare. Por këto vizione, së paku nuk u apostrofuan në ditën e miratimit nga Qeveria të parashikimeve buxhetore të 2025-tës.