Çka parasheh Kushtetuta me mocion mosbesimi dhe çka tash pas rrëzimit të Qeverisë
Kuvendi i Kosovës mbajti dje seancë plenare, ku debatoi për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, që u iniciua nga partia në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës me përkrahjen e opozitës.
E pas një debati të gjatë, me 82 vota për, 32 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti.
Çka parasheh Kushtetuta me mocion mosbesimi?
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë, sipas Kushtetutës, mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.
Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditë të kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.
Konsiderohet se mocioni i mosbesimit është pranuar, nëse për të kanë votuar shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Nëse mocioni i mosbesimit dështon, mocioni tjetër i mosbesimit nuk mund të ringrihet gjatë nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme.
Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.
Por çka është mocioni dhe çka pas tij?
Njohësi i zhvillimeve politike dhe i punës së Kuvendit të Kosovës, Albert Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se pasi mocioni i mosbesimit ishte i suksesshëm, qeveria bie, por që mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e qeverisë së re.
“Nëse do të jetë teknike apo shumëpartiake, kjo do të varet nga vullneti i deputetëve, por edhe i presidentit i cili mund të vendosë përmes një dekreti që vendi të shkojë në zgjedhje”, tha Krasniqi.