Çka nëse Thaçi jep dorëheqje, koalicion i ri apo zgjedhje – flet Avdullah Hoti
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur sot në një konferencë për media lidhur me situatën e përballjes me koronavirus në Kosovë, ndërsa nuk ka munguar as çështja politike pas ngritjes së aktakuzës nga Gjykata Speciale për presidentin Hashim Thaçi.
Në një konferencë për media në Prishtinë, pas takimit të Komitetit për menaxhimin e situatës me koronavirus, Hoti theksoi se Klinika Infektive është e stërmbushur me pacientë me koronavirus dhe se atje nuk ka më vende për njerëz.
Hoti bëri thirrje që të zbatohet plotësisht vendosja e maskave, distanca fizike dhe larja e duarve.
Enë këtë rast kryeministri nuk është lënë pa u pyetur edhe për zhvillimet e fundit politike pas ngritjes së aktakuzave ndaj presidentit të vendit, Hashim Thaçit dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit.
Në fakt Hoti është pyetur a po mendohet për ndonjë koalicion tjetër, apo zgjedhje të reja pas këtyre zhvillimeve dhe nëse presidenti Thaçi jep dorëheqje.
“Aktualisht Kosova ka qeveri funksionale që ka mbështetjen e shumicën së deputetëve në Kuvend dhe sa kohë jemi kështu duhet të vazhdojmë”, ka thëhë shkurt Hoti, duke mos u zgjatur në temën për të cilën është pyetur.
Javën e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.
Çështja kalon tani te gjykatësi i procedurës paraprake, i cili do të vërtetojë ose hedhë poshtë aktakuzën.
Thaçi, i cili ka ndërprerë udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritej të mbante një takim me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, do t’i drejtohet sonte opinionit në lidhje me aktakuzën.
Të premten, në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Thaçi ka thënë se askush “nuk mund ta rishkruajë historinë e Kosovës”, ndërsa Veseli ka thënë se dyshimet e ngritura janë të pavërteta./FaktePlus