Çka ndodh nëse anulohen votat e diasporës? – Kushtetuesja së shpejti me vendim
Më 22 nëntor të vitit të kaluar koalicioni i subjekteve politike, Nisma Socialdemokrate-AKR-PD, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar nga kjo e fundit që rreth 5 mijë vota të ardhura nga diaspora të hiqen nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.
E, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) kishte marr vendim që të mos pranohen këto vota për shkak të ankesave që kishin bërë subjektet politike.
Por, pas një ankese që Lëvizja Vetëvendosje bëri në Gjykatën Supreme kundër vendimit të PZAP-së, ato vota u pranuan dhe u futen në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, shkruan FaktePlus.
Kundër pranimit të këtyre votave ishin deklaruar edhe zyrtarët e LDK-së dhe PDK-së, në Komision Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Ndërsa, janë vetëm subjektet politike që ishin në koalicion parazgjedhor, Nisma Socialdmeokrate-AKR-PD, të cilët prej asaj dite po vazhdojnë betejën që këto vota të përjashtohen nga rezultati përfundimtar.
Mirëpo, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy muaj, ky koalicion ende është në pritje të përgjigjes nga Gjykata Kushtetuese.
FaktePlus mëson se Gjykata Kushtetuese vendimin për ankesën e koalicionit Nisma Socialdemokrate-AKR-PD, për votat e diasporës, do ta merr shumë shpejtë.
Madje, mësohet se Kushtetuesja do të merr vendim në favor të koalicionit, Nisma Socialdemokrate-AKR-PD, duke i anuluar votat e diasporës.
“Vendimin për votat e diasporës Gjykata Kushtetuese do ta merr shumë shpejtë. Këto vota do të anulohen”, ka thënë një burim brenda kushtetueses për FaktePlus.
E, nëse kjo ndodhë atëherë mbetet të shihet se a do të ndryshojë rezultati zgjedhor për subjektet politike.
FaktePlus, ka kërkuar përgjigje zyrtare edhe në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, mirëpo në këtë të fundit kanë thënë se kjo lëndë është duke u shqyrtuar.
“Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar”, ka thënë Veton Dula, Drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim.
Ndërsa, i pyetur se kur pritet të merret vendimi për këtë lënde, Dula ka thënë se duhet të shqyrtohen të gjitha pretendimet e bëra në kërkesën e palës parashtruese.
“Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha pretendimet e bëra në kërkesën e palës parashtruese”, ka thënë ai.
Ankesa e cila shihet se është mirë e argumentuar, është duke u trajtuar nga gjyqtarët e Kushtetueses, por zyrtarisht nuk tregohet se kur do të merret vendimi.
Kujtojmë se zgjedhjet e parakohshme Parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor të vitit të kaluar, ndërsa edhe një javë bëhen katër muaj nga mbajtja e tyre, por se Kosova ende ka mbetur pa qeveri.
Kjo për shkak që dy partitë fituese Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës assesi nuk po gjejnë kompromis mes vete për arritjen e koalicionit.
“Mollë sherri”, për mosarritjen e koalicionit është bërë pozita e kryetarit të Kuvendit, pozitë tashmë të cilën është duke e ushtruar Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje.
Nga LDK thonë se ndarja e pushtetit duhet të jetë e balancuar, pasi edhe diferenca në vota është shumë e vogël dhe rrjedhimisht nuk duhet që vetëm njëra parti t’i ketë postet kryesore të shtetit.
E duke pasur parasysh situatën aktuale të ngecjes së negociatave mes LVV-së dhe LDK-së, nuk dihet se si do të ndikojë edhe vendimi i Kushtetueses për votat e diasporës, veçanërisht nëse do të ketë ndryshim të numrit të deputetëve për subjektet politike./FaktePlus