“Çka ka, çka s’ka”, videoja e re e VV-së sulmon qeveritë e kaluara për infrastrukturën rrugore
“Me punë të mbrapshta dhe plane të zhvatjes na kanë bllokuar rrugët kryesore për vite, por qeverisja e re tashmë i ka zhbllokuar ato dhe ka filluar punën për t’i përfunduar ato projekte”, shkruan LVV-ja.
Madje, ata kanë përmendur edhe shifra që sipas tyre planifikoheshin të “plaçkiteshin”.
“Vetëm në aksin Kievë-Zahaq të rrugës Prishtinë – Pejë ishte planifikuar një plaçkitje e madhe e buxhetit të vendit. 240 milionë euro do t’i kushtonte Kosovës hajnia në emër të ndërtimit e shpronësimit. Por e parandaluam. Me qeverinë aktuale ky ndërtim e shpronësim nuk do të kushtojë më shumë se 90 milionë euro”, thuhet aty.
Në video, LVV-ja thekson se çdo gjë është kthyer në pikën zero, për të filluar së mbari.
“Këtë nuk e arritën sepse i ndalëm dhe e kthyem situatën në 0 për t’ia filluar së mbari. Pa keqpërdorime dhe devijime. Pa haraç e kurdisje tenderësh. Me kosto të arsyeshme dhe cilësi të lartë”, thuhet në video.
“Qeveria Kurti ka shtruar rrugë në pjesën veriore të vendit duke lidhur fshatrat me qytetin e Mitrovicës. Do të vazhdojë me këto projekte rrugore që kanë rëndësi qendrore për infrastrukturën publike. Na kanë vonuar por nuk na kanë ndalur”, shkruan në mbishkrim.