Çka e rrezikon Kosovën që të përballet me kaos ekonomik dhe politik?
Jo më vonë se më 31 tetor, Ministria e Financave e ka për detyrë që ta përgatisë propozimin me ndarjet buxhetore për secilën organizatë buxhetore. Pas këtij veprimi, Qeveria aprovon buxhetin e propozuar dhe e dërgon më së largu deri më 31 dhjetor për miratim në Kuvend. Por, situata e krijuar pas zgjedhjeve me zvarritjen e formimit të institucioneve të vendit, mund të lë Kosovën pa buxhet. E nëse buxheti nuk miratohet deri në muajin mars të vitit të ardhshëm, atëherë Kosova rrezikon të përballet me kaos ekonomik e politik.
Jo më vonë se më 31 tetor, Ministria e Financave e ka për detyrë që ta përgatisë propozimin me ndarjet buxhetore për secilën organizatë buxhetore dhe Qeveria aprovon atë.
Pas këtij veprimi, Qeveria miraton buxhetin e propozuar dhe e dërgon atë në Kuvend.
Ndërsa, afati i fundit sipas kohës së rregullt kur Kuvendi miraton buxhetin e Kosovës është 31 dhjetori, shkruan FaktePlus.
E, nëse buxheti nuk është miratuar deri më 31 dhjetor, atëherë në bazë të procedurave ligjore, Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.
Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.
Por, shkuarja e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka bërë që buxheti i vendit për vitin 2020 të shtyhet për miratim.
Mirëpo, edhe pse më janë bërë një muaj e gjysmë që kur janë mbajtur zgjedhjet, Kosova ende nuk ka formuar institucionet e reja, dhe pa formimin e tyre ende nuk dihet as edhe kur do të votohet buxheti për vitin e ardhshëm.
E dy partitë të cilat kanë fituar më së shumti vota Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdojnë ende bisedimet për dakordim për një koalicion të mundshëm mes tyre.
Madje, ka zëra që nëse këto parti nuk arrijnë koalicion atëherë vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja.
Por, çka do të ndodhë me aprovimin e buxhetit për vitin e ardhshëm nëse nuk ka formim të institucioneve të reja.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini ka thënë për FaktePlus se pagesat nga kjo ministri pavarësisht a miratohet apo jo buxheti mund të kryhen deri në muajin mars të vitit të ardhshëm.
“Deri në muajin mars, gjithmonë duke u bazuar në një të dymbëdhjetën e vitit paraprak”, ka thënë Shahini.
Ai ka shtuar se nuk ka ndonjë afat kohor se deri kur mund të miratohet buxheti.
“Nuk ka ndonjë afat, por nëse nuk miratohet deri në muajin mars, atëherë ligjërisht nuk ka mundësi të bëhen pagesa, përveç pagesave të jashtme që i ka shteti i Kosovës si obligime”, ka shtuar ai.
Por, si e shohin njohësit e ekonomisë mos votimin e buxhetit në afatin e paraparë.
Profesori Musa Limani, thotë për FaktePlus se gjasat që buxheti të miratohet në Kuvend deri më 31 dhjetor janë të pakta.
“Është shumë e vërtetë që më 31 dhjetor duhet të aprovohet në parlament po nuk ka shanse gjë që do të ishte mirë nëse ndodh, por sipas të gjitha gjasave nuk do të konstituohet Qeveria , por sido që të jetë një e treta e buxhetit të tanishëm mund të përdoret për vitin e ardhshëm, prandaj nëse edhe nëse deri në tre muajt e ardhshëm nuk konstituohet Qeveria atëherë mendoj që paraqitet një ngërç financiar që do të jetë shumë negativ”, ka thënë Limani.
Ai ka thënë se mos formimi i institucioneve të reja nuk paraqet problem vetëm në buxhet, por edhe në sektorë të tjerë.
“Në këtë situatë në të cilën gjendemi ne, do të jetë shumë problem çështja e mosfunksionimit të institucioneve tona, përkatësisht të organeve tona siç është Qeveria dhe Parlamenti për arsye se kjo nuk shprehet negativisht vetëm te buxheti, por shprehet edhe te zhvillimi ekonomik, shprehet edhe te moskontinuiteti ose vazhdimi i projekteve të nisura, pra ka shumë ndryshime edhe politike edhe ekonomike, edhe shoqërore edhe sociale, prandaj duhet ta marrin përgjegjësinë partitë të cilat janë fituese të zgjedhjeve të tanishme që ta gjejnë formën dhe mënyrën që t’i formojnë sa më shpejtë institucionet”, ka pohuar ai.
Sipas tij, nëse edhe deri në muajin mars të vitit të ardhshëm Kosova mbetet pa institucione të reja atëherë do të paraqitet një kaos politik në Kosovë.
Kështu, bazuar në rrethanat aktuale me qeveri në dorëheqje dhe pa Parlament, miratimi i buxhetit për vitin 2020, i mbetet Qeverisë së re të Kosovës dhe institucioneve, që do të formohen si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit të këtij viti./FaktePlus