Çitaku në krah të Thaçit gjatë takimeve me zyrtarë të lartë në SHBA
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi po vazhdon vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ç’rast edhe ka zhvilluar takime me disa zyrtarë të lartë amerikanë.
SHBA-ja ka rikthyer vëmendjen në zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, duke u angazhuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për t’i hapur rrugë investimeve nga jashtë dhe zhvillimit ekonomik.
Në këtë rrjedh, presidenti Hashim Thaçi ka udhëtuar me 23 shkurt për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të administratës amerikane.
“Në një darkë pune me të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Mat Palmer, me shefin e Atlantic Council, Damon Wilson, me përfaqësues nga Senati, Kongresi dhe nga institucionet qeveritare në Uashington biseduam për mundësitë e arritjes së një marrëveshjeje finale me Serbinë, e cila do të sjellë njohje reciproke dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Thaçi.
E gjatë këtyre takimeve është paraqitur edhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, emri i së cilës ditëve të fundit ka qenë prezentë shumë në media.
Kjo për faktin se para disa ditëve një lajm i cili bëri bujë në vendin tonë ishte njohja e shtetit të Kosovës nga ana e shtetit të Xhamajkës.
Mirëpo, gëzimi u ndal në gjysmë kur ky lajm u demantua nga shteti i Xhamajkës. Ministrja e Jashtme nga Xhamajka tha se shteti i saj nuk ka marrë kurrfarë vendimi rreth njohjes së Kosovës si shtet të pavarur.
Pas kësaj Çitaku u “kryqëzua” nga analistë, një pjesë e shoqërisë civile, e sidomos nga zyrtarë të lartë nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët kërkuan llogaridhënie dhe dorëheqjen e saj.
Nga Vetëvendosje Çitaku u cilësua si ambasadore që punon për interesat e Hashim Thaçit dhe jo interesat e Kosovës.
Në vetëm një reagim, ambasadorja Vlora Çitaku, ka thënë se nuk ka folur për rastin e Xhamajkës, për arsye se shumë palë jashtë Kosovë janë të përfshira në këtë rast.
“Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamajka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje. Çdo gjë do të sqarohet me kohë”, ka thënë mes tjerash Çitaku.
Si do qoftë për këtë rast me Xhamajkën ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi. E ambasadorja Çitaku është paraqitur sërish në publik. Në fakt ajo ishte së bashku me Hashim Thaçin gjatë takimeve me zyrtarë të lartë të administratës amerikane./FaktePlus