“Chopin Piano Fest” nis edicionin jubilar
Ka nisur të hënën edicioni i 10-të i festivalit “Chopin Piano Fest”, i cili është sinonim i interpretimeve në piano nga repertori botëror dhe shqiptar në Prishtinë. Ky festival është vlerësuar për bashkëpunimin dhe për rrjetëzimin e artistëve kosovarë e të huaj duke krijuar kështu një platformë bashkëpunimi. E organizuar për dhjetë vjet radhazi suksesi i festivalit nuk ka munguar. Në Kosovë përmes këtij festivali kanë arritur të vijnë muzikantë të dëshmuar nga 27 shtete, si: Shqipëria, Kroacia, Italia, Franca, Norvegjia, Rusia, Hungaria dhe Britania e Madhe.
Besa Luzha, drejtoreshë organizative e festivalit, ka folur për rrugëtimin e këtij festivali. Ajo ka theksuar se ky vit e gjen festivalin me një program shumë të pasur. “Praktikisht numri i koncerteve është dyfishuar, nga viti i kaluar dhe theksi bie mbi muzikën pianostike, të popullarizohet sa më shumë dhe se talentet e rinj duhet të kenë mundësinë të dëgjojnë muzikën e interpretorëve botërorë”, tha ajo duke vlerësuar tutje se ky festival në të vërtetë është një maratonë e koncerteve përgjatë gjithë edicioneve. “Kësaj radhe kemi vendosur që programin ta përmbledhim me 16 koncerte me pianistë të shquar nga bota, nga arti vendor, një laramani të ofertave programore-muzikore, të cilët do ta kënaqin publikun e Prishtinës, të Kosovës prej datës të sotme e deri më 28 prill kur e përmbyllim edicionin e fundit”, tha Luzha.
“Copin Piano Fest” nisi me pianistin italian Giovanni Bellucci, pastaj do të performojnë edhe Hakon Austro, doajen i pianizmit në Norvegji, Stefan Vladar nga Austria dhe emra të tjerë. Nga artistët vendorë do të jenë Visar Kuqi, Fatjona Maliqi, e cila vjen në bashkëpunim me profesorin e saj Herbert Groeger. Sipas Luzhës, ky festival do t’i japë mundësinë talenteve të rinj të japin diçka nga vetja.
Edicioni 10-të po e gjen këtë festival pa një sallë koncertale në Prishtinë. Sipas Luzhës, mungesa e kësaj salle po e vë në vështirësi edhe këtë organizim. “Kjo po e vështirëson shumë mbajtjen e festivalit, po të kishte salla do të ishte shumë më e lehtë dhe ne nuk do të ishim marrë edhe me problemet teknike. Salla i ka shërbimet e veta, infrastrukturën e duhur, gardërobën. Unë jam duke u sjellë nëpër sallë për ta gjetur një vend ku do të mundem ta vendos artistin”, thekson Luzha, e cila pavarësisht kësaj fatkeqësie thotë se edhe në këtë situatë siç janë të paktën akustika do të duhej të jetë ashtu siç duhet. Ajo ka thënë se këtë edicion po e vazhdojnë me shpresën që dekadën e ardhshme festivalin do ta realizojnë në sallë që i shkon për shtati këtij festivali dhe shumë të tjerëve.
Me “Chopin Piano Fest” nisin edhe mbrëmjet e muzikës klasike në pranverë në Prishtinë. Luzha është shprehur jashtëzakonisht e kënaqur me publikun që po e përcjell këtë skenë muzikore.“Sot kam marrë aq shumë konfirmime, interesime për të ardhur, qoftë nga ndërkombëtarët, qoftë nga njerëzit tanë, nga studentët, nga nxënësit, të cilët jam pak në stres se si do t’i akomodojmë në këtë sallë. Me rëndësi është që do të kënaqemi me muzikë të bukur. Në orën shtatë e gjysmë të mbrëmjes kemi hapjen solemne, pastaj shfaqim dokumentarin për rrugëtimin tonë 10-vjeçar. Kjo është një arsye e mjaftueshme për të ardhur dhe për të parë vepra të bukura arti”, tha Luzha.
Sa i përket përkrahjes që gëzon ky festival, Luzha përmendi bashkëpunimin që kanë me “Raiffeisen Bank”, për të cilën ajo thotë se nuk kanë nevojë të mendojnë se a do t’i mbështesin ose jo. Përkrah kësaj Luzha thekson se kanë edhe përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe të Komunës së Prishtinës. “Pastaj kemi edhe përkrahjet e tjera nga ambasadat përkatëse nga vijnë artistët për t’i lehtësuar sadopak kostot e akomodimit, të mikpritjes, kanë një krenari të veçantë që artistët e tyre vijnë të performojnë, që ta promovojnë vendin e tyre si pjesë të kulturës, shpesh edhe me vendet që nuk kanë ambasada këtu ose nuk na kanë njohur si shtet. Po ashtu janë disa biznese që kanë shprehur vetë dëshirën të na ndihmojnë, pastaj Universiteti i cili na ka hapur dyert për këtë sallë, e gjithë kjo është një partneritet pa të cilët nuk do të kishim mundur të realizojmë edicionin e 10-të të festivalit”, tregoi Luzha.
“Chopin Piano Fest” ka filluar rrugëtimin që nga viti 2010 dhe është themeluar me rastin e përvjetorit të 200-të të muzikantit Chopin nga asociacioni kosovar “Chopin” si anëtari më i ri i Federatës Ndërkombëtare të shoqatave të “Chopin”-it, pjesë e UNESCO-s.