Chelsea në stilin e kampionit, mposht bindshëm Juventusin
Chelsea ka shënuar fitore ndaj Juventusit me rezultat 4-0 në kuadër të xhiros së pestë në Ligën e Kampionëve.
Londinezët e nisën me trusni në portën e italianëve duke i radhitur rastet.
Goli erdhi në minutën e 25-të ku nga një tollovi në zonë përfitoi Trevoh Chalobah i cili shënoi për 1-0.
Juventusi kishte rast të barazonte me Alvaro Moratan, por topi pasi kaloi portierin nga vija e portë e largoi Thiago Silva.
Në anën tjetër edhe Chelsea kishte rast të mirë në fundin e pjesës së parë, kur Recce James gjuajti, por portieri ishte në vend.
Edhe në pjesën e dytë Chelsea e nisi më mirë, duke rrezikuar më shumë.
Goli i dytë erdhi në minutën e 56-të me James që gjuajti bukur nga e djathta duke e mposhtur Szczesnyn për 2-0.
Vetëm pas dy minutash Chelsea siguroi fitore, pas një aksioni të bukur në zonë, ku mbrojtja juventine ishte në gjumë total. Callum Hudson Odoi nga afër gjeti rrjetën për 3-0.
Juventusi ka mundur të zbusë humbjen, por gjuajtja e Weston McKennie u ndal nga portieri Edouard Mendy.
Në anën tjetër edhe Chelsea kishte rast të mirë me Hakim Ziyech, por gjuajtja e tij u ndal nga Szczesny.
Krejt në kohën shtesë londinezët shënuan edhe një herë me Timo Werner për 4-0, duke konfirmuar formën e lartë.
Pas kësaj fitoreje Chelsea del në vendin e parë me 12 pikë, aq sa Juventusi, por me goldallim më të mirë.