Çfarë thotë Mimoza Kusari-Lila për afrimin e saj me VV-në e Kurtit
Janë bërë disa muaj prejse dy bashkëthemeluesit e partisë Alternativa, Mimoza Kusari-Lila e Ilir Deda, kanë nisur t’i shpërfaqin publikisht pakënaqësitë ndaj njëri-tjetrit. Së këndejmi, pas këtyre përplasjeve kohët e fundit është parë një afërsi e kryetares së këtij subjekti me Lëvizjen Vetëvendosje dhe një përafrim i Dedës me Partinë Socialdemokrate (PSD).
Derisa Kusari-Lila para dy ditësh mori pjesë në një tubim të organizuar nga LVV-ja në Gjakovë kundër qeverisë aktuale, Deda para pak kohësh vendosi ta mbështesë ekipin negociator, i cili bashkëkryesohet nga kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, me të cilin dikur kishte themeluar partinë Fryma e Re (FER).
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se mes saj dhe bashkëpartiakut Ilir Deda nuk ka akuza e kundërakuza, por ka vetëm ndryshim të mendimeve në raport me ngjarjet e rëndësishme për Kosovën.
“Kjo është pjesëmarrja në dialog ose në ekipin negociator, dhe kjo është diferenca kryesore. Diçka tjetër në ndërkohë nuk ka pasur, pasi Ilir Deda nuk ka qenë fare pjesë as e takimeve, as e forumeve të Alternativës. Ndërsa ne vazhdojmë në frymën liberalo-demokrate dhe me aktivitetet që kanë qenë shumë të ngjeshura këta muajt e fundit”, ka deklaruar Kusari-Lila për “Zërin”.
Pavarësisht këtyre, Kusari-Lila ka thënë se subjekti që ajo drejton do të vazhdojë të funksionojë tutje.
“Se a do të jetë ai në Alternativë mbetet pyetje vetëm për Ilirin, për shkak se për ne është shumë e qartë që Alternativa vazhdon dhe natyrisht se vendimet janë procese demokratike, por jo individuale dhe të njëanshme”, ka shtuar ajo.
Ndërkohë gazeta “Zëri” ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Deda, mirëpo ai nuk është përgjigjur në thirrjet e redaksisë. /FaktePlus