Çfarë thonë analistët për veprimet e Vjosa Osmanit me fotografinë e Presidentit
Menjëherë pas marrjes së detyrës si kryeparlamentare, Vjosa Osmani, veprimin e parë që mori ishte heqja nga zyra e fotografisë së presidentit Hashim Thaçi, duke e vendosur në atë vend fotografinë e ish- presidentit Ibrahim Rugova. Kjo nxiti reagime e kritika të shumta, pasi u konsiderua se u shkel Ligji i Protokollit që i obligon institucionet ta kenë një fotografi të presidentit në zyrë.
E pavarësisht sqarimit të Osmanit nga Presidenca thonë se ky veprim është një precedent i keq, kurse njohës të rrethanave politike thonë se veprimi i Osmanit ka të bëjë me qëndrimet e kamotshme të saj dhe me euforinë që shfaqet në ditët e para të pushtetit.
Njohësi i rrethanave politike, Rasim Alija thotë se nuk beson se veprimi i sotëm i Osmanit do të ketë ndonjë pasojë.
“Nuk mendoj se do të ketë kosto politike për zonjën Osmani, përkundrazi do të mund ta forconte pozicionin e saj brenda LDK-së por edhe brenda elektoratit të LDK-së kontributin si njëra prej figurave kryesore të LDK-së. Nuk mendoj se veprimi i tillë i zonjës Osmani mund të ketë pasoja qoftë ligjore, qoftë elektorale apo tjera morale e etike që mund t’i vishen në këtë rast asaj”, ka thënë për FaktePlus, Alija.
Sipas tij, kur e gjykojmë këtë çështje, duhet parë background’in politik të saj dhe qëndrimet që i ka treguar gjatë aktivitetit politik, teksa e përmend edhe rastin kur kryeparlamentari i atëhershëm, Jakup Krasniqi e kishte hequr fotografinë e ish- presidentit Rugova.
“Gjithmonë veprimet e tilla duhen parë në kontekstin e background’it prej cilit subjekt politik vjen zonja Osmani dhe mbi të gjitha edhe qëndrimet e saj karshi PDK-së por edhe figurës së z.Thaçi. Megjithatë nuk është hera e parë që Kryetarët e Kuvendit bëjnë veprime të tilla. Një gjë të tillë e pati bërë edhe zotëri Jakup Krasniqi kur e pati hequr fotografinë e z.Rugova prej holleve të Kuvendit”, shton alija.
Ndërkohë Arton Demhasaj nga organizata ‘Çohu’, konsideron se fakti që zonja Osmani e cila është juriste dhe e ka bërë këtë veprim, është e çuditshme.
Megjithatë, sipas tij, duhet të kuptohet euforia në ditët e para.
“Kryetarja e Kuvendit është juriste me profesion, mandej edhe profesoreshë në Fakultetin Juridik, kështu që besoj që e njeh shumë mirë ligjin për protokoll dhe e din që është obligim ta vendosë fotografinë e presidentit në zyrën e institucioneve, por njëkohësisht ma merr mendja se duhet t’i kuptojmë ditët e para, pasi që është njëfarë euforie që i kap të gjithë ata që kanë marrë funksione të larta”, ka thënë ai.
Sipas Demhasajt, është fakt që Osmani është rritur politikisht duke e kundërshtuar Thaçin, megjithatë kjo nuk e arsyeton këtë veprim pasi që çdokush që ka funksion publik, duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën.
Madje ai përmend edhe faktin që Thaçi u zgjodh president me votat e LDK-së.
“Nuk duhet harruar as zonja Osmani as askush në LDK që votat e LDK-së e kanë bërë zotin Thaçi president dhe prej momentit kur ai është zgjedhur, të gjithë duhet ta respektojnë si president. Jo të respektohet si emër, si z.Thaçi por si institucion i presidentit dhe gjatë gjithë kohës që ai e udhëheq atë institucion, e meriton në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të aplikueshme ta ketë respektin si institucion. Pra, unë mendoj që të gjithë zyrtarët kur e marrin një funksion të rëndësishëm publik duhet të mbushen mend që janë të obligueshëm t’i respektojnë ligjet e Kushtetutën e Kosovës”, tha Demhasaj për Agjencinë e lajmeve FaktePlus.
E gjatë ditës ka reaguar edhe vetë Vjosa Osmani. Ajo tha se e njeh ligjin dhe se fotografia e presidentit është në Kuvend, megjithatë u arsyetua për fotografinë e ish- presidentit Rugova duke thënë se në ballë dëshiron ta ketë dikë që e inspiron.
“Natyrisht që ka arsye. Unë e njohë ligjin dhe në përputhje të plotë me ligjin fotografia e presidentit është në Kuvend. Unë kam dashur qe në ballë të zyrës ta kem dikë që më inspiron. Ligji për simbolet nuk e përcakton se në cilin cep të ndodhet fotografia e presidentit”, tha Osmani.
Ndërsa nga Zyra e Presidentit në një përgjigje për FaktePlus pohuan se nuk e dinë që një gjë e tillë është e vërtetë, por nëse është, ajo përbën një precedent të keq dhe shkelje të ligjeve në fuqi.
“Presidenti i Republikës përfaqëson autoritetin më të lartë të shtetit dhe të gjitha institucionet obligohen me Ligjin për Protokollin e Shtetit që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit. Kuvendi është institucion ligjvënës i Republikës së Kosovës dhe si i tillë do të duhej të ishte shembulli më i mirë i zbatimit të ligjit. Nuk e dimë nëse është e vërtetë ajo që është raportuar, por një veprim i tillë gjithsesi që do ishte shkelje e ligjeve në fuqi dhe një precedent i keq për të gjitha institucionet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit për FaktePlus.
Agjencia ka kërkuar përgjigje për këtë çështje edhe nga Zyra e Kryeparlamentarit, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk është kthyer ndonjë përgjigje.
Kujtojmë që Ligji Nr. 03/L-132 për Protokollin e Shtetit të Kosovës, neni 20, paragrafi 3 i obligon institucionet që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit./FaktePlus