Çfarë është Këshilli i Evropës ku synon të aplikojë Kosova
Kosova pritet të aplikojë të enjten, 12 maj, për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se aplikacioni është i gatshëm dhe se aplikimi do të bëhet së shpejti, me siguri të enjten.
Çfarë është Këshilli i Evropës?
Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.
Është themeluar më 1949.
Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.
Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.
Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.
Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.
Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.
Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.
Si i promovon të drejtat e njeriut ky Këshill?
Përmes konventave ndërkombëtare. Në to përfshihen Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave, kundër dhunës në familje, si dhe Konventa për krimet kibernetike.
Këshilli monitoron përparimin e vendeve anëtare dhe bën rekomandime përmes trupave të ekspertëve.
Vendet anëtare të Këshillit të Evropës nuk kanë më ligje që mundësojnë dënime me vdekje.
Si financohet ky Këshill?
Për vitin 2022, Këshilli i Evropës ka buxhet prej 477 milionë eurosh.
Buxheti krijohet kryesisht nga kontributet e vendeve anëtare.
Kontributet bazohen në një formulë që merr parasysh bruto-prodhimin e brendshëm.
Në mesin e vendeve që kanë kontribuuar më shumë deri më tash janë: Franca, Gjermania, Italia, Federata Ruse dhe Mbretëria e Bashkuar.
Të hollat shfrytëzohen për të zbatuar programin, i cili bazohet në tri fusha: të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë.
Cilat janë vendet anëtare të Këshillit të Evropës?
Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.
Vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.
Dallimi mes Këshillit të Evropës dhe Këshillit Evropian
Këshilli i Evropës është organizatë e ndarë nga Bashkimi Evropian, i cili ka 27 vende anëtare.
Megjithatë, asnjë shtet nuk është anëtarësuar në BE, pa iu bashkuar fillimisht Këshillit të Evropës.
Këshilli i Evropës është organizatë ndërkombëtare dhe promovon demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Këshilli Evropian është institucion i Bashkimit Evropian. Së bashku me Komisionin Evropian hartojnë politikat e BE-së.
Pse Kosova aplikon tani?
Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës së paprovokuar në Ukrainë.
Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.
Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por nuk ka arritur ende të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
Ajo nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, as e Organizatës Botërore të Tregtisë, as e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale e të tjera.
Serbia ka qenë e angazhuar në fushatë për pengimin e Kosovës, së bashku me mbështetësen e saj kryesore në arenën ndërkombëtare, Rusinë.
Kosova, megjithatë, ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit. /REL