Çështja me të cilën po merret intensivisht nga dita e hënë Qeveria Kurti
Viti 2020 e ka gjetur Kosovën pa buxhet të miratuar. E buxheti nuk është hartuar e miratuar ende.
Kjo për shkak se deri të hënën Kosova për pothuaj rreth katër muaj ka qenë pa qeveri.
Mirëpo, duket që buxheti do të dërgohet së shpejti në Qeveri për miratim, pasi që është edhe çështje urgjente, në të kundërtën çdo vonesë e tij mund të sjellë probleme financiare.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus mëson se ministri i sapozgjedhur i Financave, Besnik Bislimi më bashkëpunëtorë është duke punuar në mënyrë intensive në çështjen e buxhetit që sa më parë ta dërgojë në Qeveri për miratim dhe Kuvend për votim.
“Ministri është duke punuar intensivisht që sa më shpejtë ta dërgojë buxhetin në Qeveri për miratim dhe mandej në Kuvend për votim”, ka thënë ky burim.
Por, cilat janë çështjet tjera më me rëndësi, e me të cilat duhet të merret Qeveria Kurti.
Drejtori ekzekutiv i organizatës jo- qeveritare “Çohu”, thotë për FaktePlus, se pas buxhetit çështje urgjente me të cilën duhet të merret qeveria e re, është sektori i shëndetësisë publike.
Kjo për shkak që siç thotë ai, sektori i shëndetësisë deri më tani është anashkaluar pothuajse nga secila qeveri.
“Unë mendoj se duke marrë parasysh anashkalimin që i është bërë shëndetësisë publike pothuaj që nga disa qeveri të deritanishme, mendoj se fokusi kryesor menjëherë për ligjin për buxhet që do të hartohet së shpejti duhet të ketë rritje të buxhetit për shëndetësi edhe me fillu me investu në përmirësimin e sektorit të shëndetësisë, sepse e shohim se në çfarë gjendje janë spitalet tona sa i përket furnizimit me barna e gjithë atyre gjërave që nevojiten. Kështu që mendoj që shumë duhet me pas investim qeveritar në aspektin e shëndetësisë publike dhe në përmirësimin e kushteve në këtë sektor”, ka thënë Demhasaj.
Por, mori çështjesh të tjera që e presin Qeverinë e re, i përmend analisti politik, Artan Murati.
Murati për FaktePlus, thotë se qeverinë e re e presin çështje urgjente si në politikën e brendshme e po ashtu edhe në atë të jashtme.
“Është çështja e Ligjit të Pagave e cila ka mbetur pezull meqenëse ai ligj është dërgu nga Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë një vlerësim e pas atij vlerësimi do të ketë gjithsesi një situatë për të cilën qeveria e re duhet të reflektojë pra ose ta ndryshojë ligjin ose të vazhdojë me zbatimin e tij prej të cilit një numë ri madh i zyrtarëve të cilët tanimë janë në qeveri e kanë kundërshtuar sa kanë qenë në opozitë, mandej ka çështje të tjera p.sh., në aspektin e arsimit duhet sa më shpejtë të sigurohet mundësia që të kthehemi në Agjencinë Evropiane të Akreditimit meqenëse ne jemi të përjashtuar prej asaj edhe duhet të krijohen të gjitha parakushtet për Agjencinë Kosovare të Akreditimit që sa më shpejtë të aplikojë dhe të ri-anëtarësohet”, ka thënë Murati.
Ai përmend edhe çështjen e drejtësisë, vetingut, marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e çështje të tjera.
“Një prej sfidave kryesore është edhe çështja e drejtësisë, konkretisht çështja e emërimit të noterëve e cila po ashtu ka mbet pezull dhe është një proces i cili është tentuar tashmë nga ministrja e re që të kthehet në pikën zero dhe mbetet të shihet se çka do të ndodhë. Është përmend vetingu në sistemin gjyqësor, është padyshim një prej proceseve të mëdha që pritet të ndodhë por edhe ky i ka komplikimet e veta të cilat normalisht duhet të jepet rrugë prej Ministrisë së Drejtësisë në aspektin e jashtëm, kemi zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me të cilën kemi mbet prapa, agjendën për reforma evropiane që po edhe aty kemi mbet prapa, në nivelin e politikës së jashtme e kemi një agresion diplomatik nga ana e Serbisë të cilës duhet t’i përgjigjemi sa i përket tërheqjes së njohjeve dhe garantimit të njohje të reja, është procesi i dialogut, pra ka një numër shumë të madh të punëve të cilat duhet me marr përgjigje imediate prej Qeverisë Kurti”, ka thënë ai.
Kurse, sa i përket çështjes së dialogut Demhasaj dhe Murati thonë se edhe kjo është njëra ndër çështjet më sfiduese të kësaj qeverie.
Sipas tyre, duke parë presionin ndërkombëtar për këtë, është e pashmangshme që rikthimi në tryezën e dialogut të shkojë edhe shumë gjatë.
“Duke marrë parasysh presionin ndërkombëtar që ekziston për çështjen e dialogut, ne në përgjithësi pothuaj se e kemi quajtur në një mënyrë apo në një tjetër Qeveri të dialogut sepse parashihet që Kosova me u rikthy edhe njëherë në tryezë të dialogut edhe madje parashihet që me u arrit një marrëveshje me Serbinë. Kështu që është e pashmangshme kthimi në tryezë të dialogut. Ne kemi parë në çfarë niveli të lartë janë angazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kanë emëru njërin prej ambasadorëve më të fuqishëm që i ka në Evropë si ndërmjetësues, e po ashtu e pamë që edhe Bashkimi Evropian ka caktuar ndërmjetësuesin në këtë proces të dialogut kështu që është e pashmangshme që Qeveria Kurti shumë shpejtë duhet me u kthy në tryezën e dialogut”, ka thënë Arton Demhasaj për FaktePlus.
Kurse, për Muratin paralajmërimi i kryeministrit Kurti për heqjen e taksës me zëvendësim të masës së reciprocitetit do ta kthej Serbinë në tryezë të dialogut.
“Po, është zotim i Qeverisë së re që taksa do të zëvendësohet me reciprocitet, e reciprociteti jo domosdoshmërisht është më i lehtë, bile mendoj se reciprociteti do të ketë impakt edhe më të madh kundrejt Serbisë sesa vetëm taksa për produktet serbe. Mirëpo tërheqja potenciale e taksës ndoshta nënkupton që Serbia do të kthehet në tavolinën e dialogut edhe në aspektin politik dhe duke parë edhe interesimin e madh prej fuqive ndërkombëtare besoj që vazhdimi i dialogut është i pashmangshëm dhe kësisoj kryeministri Kurti duhet që t’ia kushtojë vëmendjen e nevojshme, jo si Haradinaj si e ka trajtu dialogun por Kurti jam i sigurt se do ta trajtojë shumë më ndryshe këtë çështje”, ka thënë Murati.
Albin Kurti, të hënën mori edhe votat e nevojshme për t’u bërë kryeministër i Kosovës. Ai mori 66 vota pro, asnjë kundër dhe dhjetë abstenime.
E, me të marrë pozitën e kryeministrit, Kurti ka thënë se po hapet një kapitull i ri për Republikën e Kosovës./FaktePlus