Çështja e dinarit, Lajçak pret sërish në takim këtë javë Bislimin dhe Petkoviqin
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se këtë javë në Bruksel do të ketë takim të radhës me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.
Lajçak ka thënë se takimi i së hënën me Bislimin dhe Petkoviqin ka qenë i dobishëm, ku siç tha ai palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre.
“Java para pushimit të Pashkëve ka qenë një javë e shkurtër edhe pse intensive. Të hënën prita në Bruksel kryenegociatorët e Kosovës, zëvendëskryeministrin Bislimi dhe të Serbisë, drejtorin Petkoviq, për të vazhduar diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të zbatueshme për njerëzit e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës. Në përgjithësi, ka qenë një takim i dobishëm. Të dyja palët patën mundësinë të shpjegojnë idetë dhe qëndrimet e tyre”, ka shkruar Lajçak.
Emisari evropian tha se kanë rënë dakord edhe për nevojën e një takimi tjetër, të enjten, derisa shpreson se do të zgjidhen mosmarrëveshjet e mbetura.
“Në fund konkluduam se do të nevojitet një takim tjetër. Të dy palët do të kthehen në Bruksel këtë javë dhe shpresoj se do të jemi në gjendje të kapërcejmë mosmarrëveshjet e mbetura të enjten”, ka shkruar emisari evropian.
Të hënën e 25 marist, Kosova dhe Serbia nuk arritën përparim për çështjen e dinarit serb. Kryenegociatori Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha dhe kërkohet një takim shtesë, ndërkaq ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kritikoi Prishtinën se nuk po bën përpjekje për të arritur një zgjidhje kompromisi.
Bislimi, pas takimit me Petkoviqin nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, tha se janë diskutuar propozimet e palëve për çështjen e dinarit.
“U pa se ka një dallim të madh mes propozimeve të të dyja palëve dhe u dakorduam që, pas disa bisedimeve, që ka nevojë edhe për një takim të radhës, për të parë se a ka mundësi të afrohemi drejt një zgjidhjeje apo jo”, tha Bislimi.
Bislimi nuk deshi të japë detaje për propozimet, pasi argumentoi se do të dëmtohej procesi negociues, por tha se ai i Kosovës ishte “konstruktiv”.
“Mendoj që pala jonë ka nxjerr një propozim shumë konstruktiv që mundëson që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së dhe korniza legjislative e vendit tonë”, tha Bislimi.
Por, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.
“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, ju keni propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.
Bislimi, ndërkaq, gjatë prononcimit për media, tha se në bisedimet e së hënës, Kosova u tregua e gatshme për fleksibilitet maksimal, por brenda rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe kornizës ligjore, “për arsye se fokusi ynë ka qenë qytetari për të cilin jemi të bindur se ka nevojë dhe duhet të ketë mundësi që të pranojë edhe më tej mbështetjen financiare të cilin shteti i Serbisë e ka paguar deri më tani”.
Ai tha se një zgjidhje për rregulloren e BQK-së, që parasheh euron si valutën për pagesa, është i mundur dhe lehtë i arritshëm, “vetëm se duhet vullnet politik i të dyja palëve”.
Fillimisht, më herët gjatë ditës, u zhvillua një takim trepalësh mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Më pas, Lajçak zhvilloi takime dypalëshe me dy delegacionet.
Takimet e sotme ishin vazhdim i takimit të javës së kaluar, kur të dyja palët u pajtuan për të propozuar një zgjidhje për çështjen e dinarit. Në takimin e sotëm pritej që të diskutoheshin propozimet e secilës palë.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.