Çelaj: Në PDK po ngritën servilët… PDK sikur po turpërohet prej vlerave të UÇK-së (VIDEO)
Një prej njerëzve më të hershëm të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lirak Çelaj kohëve të fundit ka nisur e po lëshon kritika të shumta ndaj udhëheqjes së partisë, të cilës i përket. Ai thotë se në PDK po bëhen gabime në shumë rrafshe dhe se tashmë në këtë parti po merren vendime arbitrare dhe po ngulfatet demokracia.
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, Çelaj thotë se edhe emërimet e fundit në PDK kanë qenë në këtë frymë, pasi nuk është pyetur askush nga anëtarësia dhe nuk ka qenë në dijeni as Këshilli i Përgjithshëm i partisë.
Ai thotë se me veprimet e saj PDK-ja prej kohësh është duke devijuar prej ADN-së së saj dhe është shqetësueses se si promovon njerëz pa vlera.
“Pra, ne kemi humbur, po devijojmë nga AND-ja, ai brumi i cili e ka krijuar PDK-në, dhe po ngarendet nga njerëz të cilët janë servil dhe njerëz të cilët po kalojnë nga zyret e shefave. Pra nëse iu kanë bart çantën arrijnë në pozita të larta dhe jo si rezultat i aktiviteteve politike në terren dhe po ashtu edhe një dukuri tjetër shqetësuese është se sa më shumë që e ke fyer PDK-në dhe vlerat e saj aq më lartë je ngritur në Partinë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Çelaj.
Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, Lirak Çelaj thotë se kritikat që po i shfaq tash, i ka thënë edhe më herët në sy të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, por shprehet se edhe pse ky i fundit është pajtuar me të, asgjë nuk ka ndryshuar.
Sipas tij, është për t’u shqetësuar se si PDK-ja ka ardhur në pozitë e sikur po i mënjanon gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së.
“Në vend që PDK-ja të jetë më e qëndrueshme në mbrojtjen e këtyre vlerave sikur është dorëzuar edhe e ka pranuar këtë fushatë që po bëhet ndaj njerëzve të UÇK-së. Kjo mua më shqetëson, kjo është një prej brengave”, ka thënë ai.
E, derisa ka folur për personat siç i ka quajtur më herët “kullerat” e PDK-së, Çelaj ka deklaruar se e ka fjalën për ata individë që janë avancuar në PDK për shkak të servilizmit.
Në këtë intervistë, Çelaj ka treguar edhe se çfarë raporte ka me kryetarin Veseli, pas këtyre akuzave, si dhe kush janë të fuqishmit në PDK.
Po, ashtu ka folur edhe për atë se a ka menduar dorëheqjen nga kjo parti si dhe qëllimin e këtyre kritikave.
INTERVISTA E PLOTË:
FaktePlus: Zotëri Çelaj tash e një kohë keni filluar të hidhni kritika dhe akuza ndaj PDK-së, pjesë e së cilës zyrtarisht jeni edhe ju. Pse jeni kaq kritik?
Çelaj: Unë këto kritika dhe këto vërejtje i kam dhënë edhe më herët. I kam shprehur në organet e partisë qoftë në Kryesi, qoftë në Këshillin Drejtues, por personalisht edhe me kryetarin Kadri Veseli. Mendoj se janë shpërfillur, sepse këto mendime nuk janë vetëm të mijat, por janë edhe të një pjese goxha të madhe të partisë dhe mendoj se janë shpërfillur. Prandaj vendosa me qëllimin më të mirë me shpresën që mos të hasin më në vesh të shurdhër dhe të hapet një debat i brendshëm në parti. E rendit ka qenë që të debatohet brenda, por meqë ne i kemi shpreh këto mendime dhe jo vetëm unë, por edhe të tjerët dhe ato në një farë mënyre nuk janë përfillur kam vendosë që ta ngris zërin edhe më lartë. Pra po them gjithnjë me qëllimin më të mirë që të përmirësohet puna dhe aktiviteti i Partisë Demokratike të Kosovës.
FaktePlus: Kush janë personat e tjerë, e thatë që ka edhe të tjerë që kanë mospajtime?
Çelaj: Nuk është e imja që të flas, por ka disa që e kanë shpreh publikisht e disa vetëm brenda organeve të partisë. Është e tyre të dalin dhe të tregojnë kush janë, unë thjesht dalë dhe flas në emër timin personal shpreh pakënaqësinë që e kam tash e sa vite, pra ky shqetësim i imi nuk është vetëm sot, është që një kohë të gjatë.
FaktePlus: E thatë që personalisht jeni takuar me struktura, por edhe me kryetarin Veseli, cila ka qenë përgjigja e tij ndaj pakënaqësive tuaja?
Çelaj: Unë mund të them që ai në bisedë është pajtuar me mua, pra në parim. Mirëpo fatkeqësisht nuk ka ndryshuar diçka në këtë drejtim dhe kjo është edhe arsyeja që unë kam pas shpresë që do të ndërmerren hapa që të ndryshohet ky parim, por siç e kam parë më vonë nuk ka ndodhur ky ndryshim.
FaktePlus: Çfarë raporte keni tani me kreun e PDK-së, Veselin?
Çelaj: Unë me zotëri Veselin kam raporte të shkëlqyeshme, unë e konsideroj edhe mik edhe besoj edhe ai mua. Kemi pas bisedime shumë miqësore dhe vazhdoj të kem. Kritikat me qëllimin e mirë t’i bën miku, sepse është shumë lehtë që t’i rrahësh krahët, por nganjëherë kur je në krye të partisë ose në krye të institucioneve rrethohesh me njerëz që kanë dëshirë që vetëm ta bëjnë rrafsh dhe kjo mendoj që e dëmton një lider. Prandaj unë me qëllimin më të mirë po i bëj këto kritika, sepse unë kam dëshirë që ai të përformojë sa më mirë që është e mundur.
FaktePlus: Pas këtyre kritikave a jeni duke menduar largimin nga PDK-ja?
Çelaj: Jo, po ta kisha menduar largimin unë do të kisha dalë dhe atëherë nuk do të kisha fol, sepse nuk do të kisha pas ndonjë motiv të flas, përveç të dilja nga partia. Pikërisht, pse kam investu shumë një kohë të gjatë në PDK dhe e konsideroj si një pjesë timen dhe konsideroj se jam pjesë përbërëse e PDK-së, pra e bëj me qëllimin më të mirë edhe pse ka tendenca që të keqkuptohem. Pala që e sheh veten që po akuzohet, individë të caktuar po mundohen me u marrë gjëja me motivin tim pse po kritikoj dhe jo me argumentet që po i shfaqi. Por mua kjo nuk më zmbraps sepse mendoj që argumentet që i kam thënë qëndrojnë dhe me të pajtohen një pjesë dërmuese e strukturave të PDK-së dhe mendoj se nëse përfillen qoftë edhe pjesërisht, rezultati do të jetë më i mirë për Partinë Demokratike të Kosovës.
FaktePlus: Sipas juve, ku saktësisht është duke gabuar PDK-ja?
Çelaj: Unë mendoj që ka disa rrafshe që po gabohet. Ajo që është shqetësimi im kryesor është që sikur po vazhdon të ngulfatet, s’po them që ka qenë shumë mirë, por po vazhdon trendi që të merren vendime arbitrare qoftë edhe për përbërjen e Kryesisë edhe për të gjitha, edhe për kabinetin, pra janë vendime arbitrare dhe nuk respektohet vullneti i strukturave nga niveli më i ultë deri te niveli qendror. Fakti që nuk na është mundësuar që të debatojmë dhe të kemi një votim të mirëfilltë për Kryesinë e tregon këtë punë. Unë mendoj se është dashur që të ketë debat sepse në Kryesi ka njerëz shumë të mirë, të devotshëm njerëz që kanë kontribuar për vendin , do të vazhdojnë të kontribuojnë për vendin dhe unë ndihem krenar me një pjesë të mirë të Kryesisë që ka aktualisht PDK. Por mua më shqetëson ajo që unë e kam quajtur po dëmtohet “AND-ja”, te ne. Unë e kam vërejt, jo tash, por para shumë viteve që nëse ke qenë pjesëtar i UÇK-së, është konsideru minus dhe kjo që një kohë të gjatë ka fillu dhe unë nuk them nëse ke qenë ish- ushtar i UÇK-së, ose i burgosur politik apo çfarë do vlere që ke kontribu në të kaluarën që është një garancion, një dëshmi që t’i e do vendin nuk po them që duhet të jetë kushti kryesor për të marrë pozita udhëheqëse ose për të qenë diku në vendimmarrje, por nuk mendoj që duhet të jetë një shkas për t’u mënjanuar. Unë mendoj që kjo po ndodhë.
Për dëshmi mund të shihni ministrat e disa kabineteve të qeverisjes së PDK-së, jo vetëm të fundit por edhe në të kaluarën kur nuk ka pothuajse asnjë ministër që ka qenë ushtar i UÇK-së, ose në pozita të tjera udhëheqëse, sikur po turpërohet PDK-ja prej kësaj. Ose e kemi rastin që është ftuar që te jetë në listën tonë djali i Adem Demaçit , Shqiptar Demaçi dhe në vend se në vend që të përkrahet ky dhe të ketë angazhim të veçantë dhe të përkrahet ky sepse arsyeja që është thirr është pikërisht trashëgimia që ai dhe familja e tij e kanë prej babait të tij. Është ngarendur që të lobohet për individë të tjerë që as përafërsisht si kanë vlerat e zotëri Demaçit dhe këto janë disa prej argumenteve që unë po them sikur po turpërohet PDK-ja prej emrave, prej themeleve që i ka të UÇK-së. Është bërë prej pasluftës deri tash është vazhdimisht është bërë një luftë e madhe, jo në PDK, po flas në krejt Kosovën dhe nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare që të njolloset Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe në vend që PDK-ja të jetë më e qëndrueshme në mbrojtjen e këtyre vlerave sikur është dorëzuar edhe e ka pranuar këtë fushatë që po bëhet ndaj njerëzve të UÇK-së. Kjo mua më shqetëson, kjo është një prej brengave.
Pra, ne kemi humbur, po devijojmë nga AND-ja , ai brumi i cili e ka krijuar PDK-në, dhe po ngarendet nga njerëz të cilët janë servil dhe njerëz të cilët po kalojnë nga zyret e shefave, pra nëse iu kanë bart çantën arrijnë në pozita të larta dhe jo si rezultat i aktiviteteve politike në terren. Po ashtu edhe një dukuri tjetër shqetësuese është se sa më shumë që e ke fyer PDK-në dhe vlerat e saj aq më lartë je ngritur në Partinë Demokratike të Kosovës.
FaktePlus: Desha me u ndal te kjo, ju nuk po pajtoheni me njerëz të rinj të partisë ose “kullarat” siç i quani ju. Pse nuk pajtoheni ju me ta, dhe kush janë “kullerat” e PDK-së sipas juve?
Çelaj: Absolutisht nuk është që unë nuk pajtohem me njerëzit e rinj. Unë mendoj se PDK-ja ka qenë shembull për të pranuar njerëz të rinj dhe mendoj që kjo ka qenë një prej vlerave dhe është një prej vlerave më të mëdha që ka PDK-ja. Pra ka qenë e hapur për të pranuar njerëz të rinj dhe mendoj se është shumë pozitive edhe unë përkrahi shumë njerëz të rinj, por njerëz të cilët kanë hy për shkak që kanë vlera të veta dhe kanë ec përpara me këmbët e veta , por nuk po pajtohem me njerëz, me individë të cilët nuk kanë avancuar dhe nuk kanë krijuar respektin ose pozicionin në PDK për shkak të veprimtarisë së tyre, por për shkak të servilziimit dhe përkrahjes në mënyrë artificiale nga disa prej liderëve të partisë.
FaktePlus: A konsideroni se jeni anashkaluar dhe është dashur ta keni një vend në strukturat drejtuese të partisë…?
Çelaj: Ka vazhdimisht përpjekje që këto kritika të mia të vihen dhe të amortizohen duke dashur që të thonë se motivet janë personale, për çka nuk është aspak e vërtetë. Nuk është me rëndësi a jam unë diku, a do të duhej të isha apo jo përderisa do të respektohej vullneti i strukturës për cilin do. Kjo sepse unë nuk po them që njerëzit që janë sot në Kryesi nuk janë meritor, por rruga si kanë arrit. Unë procesin po e kritikoj dhe jo individin dhe nuk është me rëndësi a jam unë apo jo. Motivet e mia nuk janë personale, unë kam kontribu mëse 20 vite dhe vetëm diku rreth tri vite kam qenë anëtar Kryesie. Pra nuk është që unë kam pas ndonjë pozicion dhe atëherë kam qenë edhe më aktiv ndoshta sesa tash. Pra, nuk është motivi personal aspak . Unë thjesht mendoj që duhet të ndihem krenar kur mbroj PDK-në të mbështetur në disa vlera dhe ta kem gojën plot kur flas me njerëz në terren që ta mbroj e të cilat argumente në fakt me të cilat unë jam ndier krenar dhe ka qenë motiv pse i jam bashkëngjit këtij grupacioni politik kanë filluar të zbehen dhe unë kam filluar të mos ndihem komod me vlerat të cilat po i përfaqëson PDK-ja.
FaktePlus: Pas gjithë këtyre që i thatë, a ka fuqi Kadri Veseli të bëjë reforma në parti, kur aty ende janë të fuqishëm Sami Lushtaku, Elmi Reçica e të tjerë?
Çelaj: Absolutisht unë mendoj që ka shumë fuqi. Unë mendoj se Kadri Veseli gëzon respektin edhe të njerëzve që i përmende për të cilët unë kam shumë respekt dhe unë mendoj që Kadri Veseli ka fuqi, por mendoj që po dëgjon zëra të gabuar. Pra jo njerëzit që i apostrofove, por njerëz të tjerë të cilët e kam përshtypjen që kanë rënë nën ndikimin e njerëzve jo të duhur dhe kjo mua më shqetëson pak. Përndryshe Kadri Veseli është një njeri me vlera shumë të larta njerëzore dhe është një njeri që ka kontribu shumë për vendin dhe kjo është një prej arsyeve që unë kam vazhdu të jem përkrahës i fuqishëm i PDK-së. Unë besoj shumë në vlerat e Kadri Veselit e çmoj edhe si mik, por edhe në cilësinë e mikut po i them këto kritika me qëllimin më të mirë që të përmirësohet mënyra e qeverisjes sepse konsideroj se miku ta thotë të vërtetën kurse armiku ta lëmon krahun.
FaktePlus: Tani për tani në PDK, në bazë të kësaj që thatë a po vendos Kadri Vesesli, apo dikush tjetër?
Çelaj: Nuk mund të themi që nuk vendos Kadri Veseli, sepse Kadri Veseli është kryetar i partisë. Unë vetëm mendoj se po ndikohet prej njerëzve të gabuar.
FaktePlus: Kush janë këta njerëz?
Çelaj: Unë nuk do të ndalem me emra, nuk është qëllimi im që të merrem me individin, por me fenomenin, me parimet dhe nuk e kam ndërmend të merrem me asnjë individ.
FaktePlus: PDK ka bërë disa emërime në Kryesi, ku edhe janë ndarë pozitat në departamente të ndryshme me të cilat ju edhe jeni tallur, duke thënë se këto emërime nuk janë demokratike. Pse mendoni ju kështu, ka demokraci në PDK?
Çelaj: Unë nuk jam marrë me emërimet e as me emrat, por jam marrë me fjalinë ku thuhet për demokracinë e brendshme ku Kryesia komplimenton veten për demokracinë e brendshme. Dhe, unë mendoj se nuk ka demokraci të brendshme, fakti që nuk ka kalu një proces i mirëfilltë i votimit nga Kryesia. Pra jo emërimet, por Kryesia, kjo ka qenë vërejtja ime dhe jo për individët kush ku është emëruar, aspak nuk jam marrë me atë punë.
FaktePlus: Kush nuk duhet të jetë në këto departamnte ?
Çelaj: Nuk është e imja që të them se kush duhet, e kush nuk duhet. Unë them që debati duhet të shtrohej në strukturat e partisë dhe strukturat e partisë në mënyrë demokratike të vendosin më shumë se kush duhet të jetë dhe kush nuk duhet të jetë. Në momentin që do të merrja të drejtën të thoja se kush duhet, e kush nuk duhet do ta bëja shkeljen të cilën po e bën PDK-ja aktualisht duke e lënë në dorë të një grupi të ngushtë apo individëve që të marrin vendime të tilla se kush duhet të jetë e kush nuk duhet të jetë.
FaktePlus: Njëri prej atyre që aderoi së voni në PDK, Migjen Kelmendi, tani është caktuar si udhëheqës i Departamentit për Media dhe Rrjete Sociale. Vetë Kelmendi nuk ka dhe nuk i përdor rrjetet sociale. A ka logjikë kjo?
Çelaj: Nuk është e imja ta komentoj këtë punë, nuk e di , thash nuk kam të bëjë me individ, nuk ka të bëjë asgjë personale me individët në Kryesi të partisë. Kështu që prapë po them që është çështje e parimit të përgjithshëm dhe jo ndaj individëve.