Çekia shënon numrin më të lartë të rasteve të koronavirusit që nga fillimi i prillit
Republika Çeke e ka shënuar numrin më të lartë ditor të rasteve të koronavirusit që nga fillimi i prillit pasi shënoi 168 persona të infektuar për 24 orë.
Rritja e numrit të rasteve në shtetin e Evropës Qendrore erdhi në kohën kur vendi po e fillon sezonin dymujor të pushimeve verore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga rritja e numrit të rasteve më i prekuri është rajoni lindor, Karvina.
E premtja ishte dita e fundit e mësimit për shumicën e fëmijëve dhe studentëve në këtë shtet dhe familjet e tyre janë përgatitur për pushimet verore.
Shumë çekë pritet t’i kalojnë pushimet brenda vendit dhe të mos udhëtojnë jashtë për shkak të shqetësimeve rreth virusit dhe për shkak të kufizimeve në udhëtime.
Deri të shtunën në mëngjes, Republika Çeke i ka regjistruar 11,038 persona të infektuar me Covid-19 dhe 349 viktima. Ky vend ka popullsi prej 10.7 milionë banorësh.