Çdo ditë dy mjekë largohen nga Kosova, 80% e tyre po përgaditen të ikin në mars
Kosova çdo ditë e më shumë po rrezikohet që të mbetet pa kuadër specialistik mjekësor. Ikja e tyre drejt shteteve të ndryshme të Evropës ka nisur tash e disa vite. Edhe gjatë 2020 po parashihet të ketë shpërngulje tjetër të madhe të mjekëve e infermierëve. Sindikatat e Shëndetësisë në Kosovë kanë treguar se rreth 80% e infermierëve po bëjnë përgatitje për ta braktisur vendin.
Pamundësia për të gjetur një vend pune, kushtet jo të mira të punës, si dhe mirëqenia jo e kënaqshme e punëtorëve shëndetësorë dhe politizimi i institucioneve, janë disa nga problemet me të cilat po përballen kuadrot specialistike mjekësore dhe infermierët në Kosovë.
Kjo ka ndikuar që shumë nga mjekët e infermierët të ikin nga Kosova. Ata çdo ditë e nga pak po largohen në drejtim të vendeve të ndryshme evropiane e botërore, si mundësi për të gjetur kushte më të favorshme pune e jete.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), Blerim Syla, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se situata është alarmante për vendin dhe shteti duhet të ndërmerr masa për këtë dukuri.
“Në hulumtimin e fundit që është bërë nga Federata kemi pasur rreth 400 mjekë të larguar. Ky numër është rritur dhe tani kemi edhe largimin e infermiereve. Kohët e fundit kërkesat janë rritur dhe jemi duke bërë hulumtime, por çdo ditë kemi dy deri në tre infermierë të larguar e për mjekë në gjashtë muajt e fundit ka pasur rreth 160 kërkesa për largim”, ka thënë Syla.
Në fakt, sistemit shëndetësor në Kosovë po i mungojnë 5000 punëtorë, kurse rreth 80% e kuadrove të reja të infermierëve janë në kurs të gjuhës gjermane dhe kanë filluar procedurën për të ikur për punë në Gjermani.
Sipas Sylës, situata e rënduar mund të vështirësohet edhe më tej gjatë muajit mars 2020.
“Kjo do të dobësoj dukshëm shërbimin dhe do vjen edhe deri te mbyllja e disa shërbimeve. Kjo dukuri i ka përfshirë edhe shtetet përreth dhe pritet të vijnë tek ne. Arsyet janë të thjeshta pagat e ulëta, mungesa e edukimit të vazhdueshëm, specializimet, vendet e punës të kufizuara, dhe tani me dështimin e Ligjit të pagave është krijuar një klimë të rëndë tek punëtorët. Për momentin kemi rreth 5000 punëtorë mangu në sistem. Situata pritet të rëndohet më tej pasi mundësitë për Gjermani janë hapur. Nga marsi e tutje vështirë të ndalet kjo dukuri”, është shprehur ai kryesindikalisti.
Kurse kryetari i Sindikatës së Infermierëve dhe Profesionistëve të tjerë Shëndetësor në Kosovë, Fitim Havolli ka treguar për FaktePlus arsyet pse rreth 80% e infermierëve po bëjnë përgatitje për ta braktisur vendin.
“Arsyet pse profesionistët po e zgjedhin rrugën për të migruar jashtë vendit janë: pagat e ulëta, mungesa e kushteve të punës, sulmet fizike të herë pas hershme që i bëhen infermierëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor!.. Ministria nuk po bën asgjë në lidhje me kuadrot e reja. Mund të them që rreth 80% e kuadrove të reja janë në kurs të gjuhës gjermane dhe kanë filluar procedurën për punë në Gjermani. Nëse vazhdon ky ritëm brenda 2 viteve Kosova do ta vuaj mungesën për infermierë”, tha ai.
Havolli shton se shqetësimet aktuale të komunitetit profesional shëndetësor në një të ardhme mund edhe kthehen në problem nacional e kombëtar.
Ndërsa nga Oda e Mjekëve të Kosovës kryetari Pleurat Sejdiu tha se edhe pas propozimeve që kanë bërë tek Ministria e Shëndetësisë për përmirësimin e kushteve të mjekëve dhe infermierëve, një gjë e tillë nuk është marrë parasysh.
“Arsyet kryesore të largimit janë mungesa e punësimit, mungesa e specializimit, pagat e vogla dhe kushtet e punës. Ministria e Shëndetësisë ka arritur qe çështjen e pagave ta rregulloj, por fatkeqësisht Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese kanë bërë të pamundur ekzekutimin e Ligjit. Ndoshta me një koordinim më të mire me nivelin komunal e nacional do të arrihej më shumë. Neve si organizate kemi dhenë propozime konkrete Ministrisë se Shëndetësisë, por pak janë marr në konsideratë”, ka thënë më tej Sejdiu.
Emigrimi i mjekëve nga Kosova dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor dhe mosbesimi i tyre tek sistemi i shëndetësisë në vendet respektive ka të njëjtat shkaqe: paga të ulëta, pamundësi për të ecur përpara në karrierë, për të kryer studime shkencore nga financimet e pamjaftueshme nga buxheti i shtetit, etj.
E, profesionistë shëndetësorë theksojnë se tashmë duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova./FaktePlus