Cakaj për Marrëveshjen Kosovë-Serbi: Shqipëria e pamundur që të ndihmojë
Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë përmendur shpeshherë që mund të jenë pjesë e ujdisë finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë Gent Cakaj, në një intervistë pikërisht nga Presheva, nuk ka treguar nëse e mbështet këtë ide.
Ai në Klan Kosova tha se Shqipëria nuk mund të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes së mundshme finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Por, Cakaj u shpreh i bindur se Shqipëria do ta mbështesë pozicionin e institucioneve të Kosovës karshi kësaj marrëveshje.
“Kjo është një çështje që po ashtu jam kritikuar vazhdimisht, edhe Qeveria e Shqipërisë, dhe është tepër problematike që unë të flas nga pozicioni zyrtar, sepse politika jonë ka qenë e ndërtuar në tri shtylla kryesore sa i përket dialogut Kosovë-Serbi”.
“Kosovës i takon ta përcaktojë kornizën e marrëveshjes apo pozicionin e saj në marrëveshje dhe natyrisht që Republika e Shqipërisë i mbështet institucionet e Kosovës dhe qëndrimet e tyre”.
“Është fare i qartë elementi i dytë: marrëveshja duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë. Elementi i tretë, që po ashtu konsideroj që është i qartë, është që çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me një perspektivë të qartë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Europian dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara”.
“Dua të nënvizoj vetëm diçka, sepse po na përmendet emri në çfarëdo rrethane dhe me gjithfarë qëllimi, për këtë marrëveshje Shqipëria është e pamundur të ndihmojë, sepse në fund çdo marrëveshje ndërkombëtare duhet të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Nuk kemi rol institucional. Nuk jemi pjesë e grupit negociator, firmëtarë të mundshëm dhe as deputetë të Kuvendit të Kosovës që në fund duhet të votojnë në favor të ratifikimit të një marrëveshje ndërkombëtare”.
“Ne duhet ta mbështesim pozicionin e institucioneve të Kosovës dhe kjo është fare e qartë. Në fund të ditës secila marrëveshje duhet të kalojë përmes Kuvendit të Kosovës dhe ata duhet të përgjigjen për të gjitha çështjet që rëndojnë në agjendën e tyre dhe marrëdhënien me shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
Por, ku duhet të jetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës – në Kosovë apo Serbi, sipas Gent Cakajt?
“Kjo është një pyetje që duhet ta diskutoni me institucionet e Kosovës. Unë për këtë çështje nuk mund të flas, sepse do të ishte sjellje e pamatur e imja po të jap një gjykim të kësaj natyre. Mua më takon të kontribuoj në forcimin e pozicionit institucional të Kosovës dhe ta transmetoj atë në mënyrën më të mirë të mundshme në arenën ndërkombëtare, por asesi të pozicionohem në një çështje që veçse ka prodhuar përpjekje për ta përçarë Kosovën dhe Shqipërinë – por, unë jam shumë i lumtur që kanë qenë pa sukses”.