Cakaj: Ka dyshime se aktakuza ndaj Thaçit e Veselit është e motivuar politikisht
Plot 6 orë e 15 minuta zgjati intervistimi i presidentit Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ai për media, nuk komentoi lidhur me këtë intervistë, derisa tha se pyetjet për të do të vazhdojnë dhe nesër.
Ndërsa Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj, tha se kur vlerat e UÇK-së janë në pikëpyetje, detyrë e Shqipërisë është të shfaq solidaritet, transmeton Indeksonline.
“Kur vlerat e UÇK-së janë në pikëpytje ka qenë detyrë e Shqipërisë të shfaq solidaritet dhe ta jap mbështetjen e duhur. Arsyeja e dytë është ta shfrytëzojmë këtë momentum që si dy shtete ta rujamë jo vetëm pastërtinë e UÇK-së por ta shmangim devijimin e narrativës së historisë.
Dhe arsyeja e tretë që tashmë Gjykata Special do të prodhojë jo vetëm pasoja politike, por do të jetë ngarkesë shtesë për shtetin e Kosovës”, tha Cakaj në T7.
Ai tutje shtoi se ka bazë për dyshim se aktakuza ndaj Thaçit e Veselit është politike.
“Ka bazë për dyshim që ka qenë e motivuar politikisht, në të njëjtën anë kur u publiku aktakuza e propozuar vetëm dy ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë për procesin e dialogut me Serbinë.
Dhe vet përmbajtja e deklaratës së prokurorit të specializuar është politike në kuptimin që e para nuk është as në përputhje me rregulloren e asaj gjykate pa u konfirmu aktakuza.
Vet deklarata e prokurorit përmbanë gjuhë politike, kjo lë hapësirë të dyshuar se ka qenë e motivuar politikisht”, tha ndër të tjera ministri shqiptar.