Çka gjeti Auditori për skandalin e zhdukjes së 2 milionëve në Ministrinë e Infrastrukturës?
Skandali i zhdukjes se 2 milionë eurove, në Ministrinë e Infrastrukturës, ku mjetet u barten jashtëligjshëm tek një kompani private, është audituar edhe nga Auditori i Përgjithshëm.
Në raportin e auditimit për Ministrinë e Infrastrukturës për 2020, Auditori thotë se nga kjo ministri janë tërhequr mbi 2 milionë euro nga llogaritë e projekteve kapitale të ministrisë, mjete këto që ishin shpërndarë pa asnjë miratim të zyrtarëve përgjegjës të ministrisë.
Gjithsej 2 milionë e 77 mijë e 960 euro i ishin depozituar në llogari një Operatori Ekonomik të vetëm përmes 4 pagesave të realizuara më datë 09.10.2020.
Rasti ishte raportuar në Ministrinë e Financave dhe në Departamentin e Krimeve Ekonomike brenda Policisë së Kosovës, por ende nuk ka ndonjë vendim konkret për të.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj për Ministrinë e Infrastrukturës për vitin 2020, ka konstatuar se mjetet e marra nga llogaritë e ministrisë dhe pa kurrfarë autorizimi nga përgjegjësit e vet ministrisë ende nuk i janë kthyer buxhetit të Kosovës, edhe pse si rast ishte i raportuar që nga tetori i viti të kaluar.
Sipas ZKA-së, më datën 20.10.2020, “ZKF përmes Sekretarit të Përgjithshëm e kishte njoftuar Departamentin e Thesarit në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Drejtorin e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në kuadër të Policisë së Kosovës, se nga llogaritë e projekteve kapitale të Ministrisë së Infrastrukturës përmes 4 pagesave të realizuara në llogarinë e një OE me datë 09.10.2020, ishte tërhequr shuma 2,077,960€ pa autorizimin e zyrtarëve të Ministrisë”.
Informata në lidhje me këtë rast ishte shpalosur vetëm si shënim (shënimi nr.6) në Raportet Vjetore Financiare (RVF) të Ministrisë së Infrastrukturës për vitin 2020.
ZKA-ja thekson se në momentin kur është përfunduar edhe procesi i auditimit, rasti ka qenë ende duke u trajtuar nga organet kompetente.