Buxheti “sekret” i Dhomave të Specializuara me seli në Hagë
Prokuroria e Specializuar për krime të luftës në Kosovë, me seli në Hagë, ka rritur dinamikën e ftesave për intervistim ndaj ish- luftëtarëve e eprorëve të UÇK-së, ish- deputetëve, por edhe përfaqësuesve politikë të Kosovës, numri i të civilëve kalon mbi 200. Për pesë vite punë, ky institucion ka marrë rreth 80 milionë euro, ndërsa nuk tregon saktë se sa do të ketë buxhet për vitin e ardhshëm.
Vitin e ardhshëm bëhen pesë vjet që nga miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
E, me miratimin e këtij ligji është thënë se mandati i Dhomave të Specializuara është pesë vjeçar, shkruan FaktePlus.
Që prej vitit 2015 kur edhe është miratuar ky ligj është bërë e ditur që ky i fundit ka juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000.
Ndërsa, për secilin vit për Dhomat e Specializuara është alokuar buxhet i ndryshëm.
E, tashmë kur i kanë mbetur edhe më pak se një vit Gjykatës Speciale, kjo e fundit ende nuk ka miratuar ndonjë buxhet për vitin 2020.
Kryetarja e Divizonit të Informimit Publik dhe Komunikimit pranë Dhomave të Specializuara, Angela Griep, ka thënë për FaktePlus se në momentin që të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm do ta bëjnë publik.
Por, ka shtuar se alokimi i saktë i buxhetit është sekret.
“Sapo të miratohet buxheti për vitin e ardhshëm buxhetor, të dhënat do të publikohen në uebfaqen tonë. Alokimi ekzakt i buxhetit është sekret’, ka thënë Griep për FaktePlus.
Ajo ka treguar edhe për shumën e buxhetit që është ndarë për Dhomat e Specializuara që nga formimi i saj.
Griep tha se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan një buxhet prej 29 milionë e 100 mijë euro për periudhën nga 15 qershori 2016 deri më 14 qershor 2017 në Vendimin e Këshillit nr.2016/947; dhe një buxhet prej 41 milionë e 314 mijë euro për periudhën prej 15 qershorit 2017 deri më 14 qershor 2018 në Vendimin e Këshillit nr.2017/973.
Përveç fondeve të dhëna nga Bashkimi Evropian, Dhomat e Specializuara kanë marrë para edhe nga qeveria norvegjeze në total prej 80 milionë kronash norvegjeze (afër 8 milionë euro) për të mbështetur procedurat e zhvendosjes në ambientet e reja në Hagë.
Po ashtu, në dhjetor të vitit 2017 qeveria zvicerane konfirmoi mbështetjen me 181 mijë e 200 euro për aktivitetet në terren të Dhomave të Specializuara.
Ndërsa, e pyetur rreth asaj se sa është numri i të intervistuarve deri më tani nga kjo gjykatë, Griep ka thënë se për këtë çështje duhet t’i drejtoheni zëdhënësit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christophet Bennett.
FaktePlus, ditë më parë për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe nga Bennett, por ky i fundit nuk ka dashur të jep detaje.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk jep informacion për hetimin e këtyre rasteve për arsye etike, profesionale dhe ligjore”, kishte thënë Bennett, për FaktePlus.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të specializuar, është miratuar me 3 gusht të vitit 2015, ani pse ishte kundërshtuar ashpër nga opozita e atëhershme, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën.
Mirëpo, votimi ishte bërë nga dy partitë në pushtet PDK-LDK dhe partitë minoritare, të cilat kishin më shumë se dy të tretat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës./FaktePlus