Butel: Kosova dhe Serbia t’i shqyrtojnë të gjitha opsionet që çojnë drejt zgjidhjes përfundimtare
Kosova dhe Serbia duhet ta përcaktojnë përmbajtjen e një marrëveshjeje dhe të shqyrtojnë të gjitha opsionet që mund të çojnë drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, ka thënë ambasadorja e Francës në Kosovë, Christine Butel.
Pavarësisht rolit në rritje të Shteteve të Bashkuara, sipas diplomates franceze, dialogu do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ku mbështetje do të ofrojë edhe Franca.
Duke iu përgjigjur kërkesës së partnerëve perëndimorë, kryeministri Kurti ka paralajmëruar heqjen e pjesërishme të taksës ndaj mallrave serbe, duke mos e përjashtuar as reciprocitetin në një fazë të mëvonshme nëse Serbia nuk i heq pengesat.
Por ambasadorja Butel thotë se, secila palë duhet të kujdeset që të mos ndërmarrë ndonjë masë tjetër që mund të rrezikojë rifillimin e dialogut.
“Të kërkosh vendosjen e masave të reciprocitetit përpara rifillimit të dialogut, do të thotë të krijosh një kusht të ri për rifillimin e dialogut, i cili nuk na duket të jetë një qasje e përshtatshme. Të dyja palët do të mund të diskutojnë masat e reciprocitetit në kuadër të dialogut, pasi të ketë rifilluar ai”, ka thënë ajo.
Butel ka folur për reformat e brendshme dhe për perspektivën evropiane të Kosovës.
Sipas saj, sfida e parë me të cilën përballet Kosova është konsolidimi i shtetit të së drejtës. Kjo, siç është shprehur ambasadorja, kërkon krijimin e një sistemi gjyqësor transparent, efikas dhe të pavarur.
Prioriteti i dytë, sipas ambasadores, duhet të jetë zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila hyri në fuqi në prill të 2016-s. Butel ka theksuar se përmbushja e këtyre reformave është parakusht për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike me BE-në.
Sa i përket mungesës së vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën, sipas ambasadores, Franca, së bashku me disa shteteve të tjera anëtare, beson se nuk janë përmbushur ende kushtet që ndërlidhen me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe me luftën kundër krimit të organizuar.
Dialogu me ndërmjetësimin e BE-së
KD: znj. ambasadore, ka një angazhim ndërkombëtar që Kosova dhe Serbia të rikthehen në tryezën e negociatave, për të shkuar drejt një marrëveshjeje finale. Si e shihni fazën e ardhshme të këtij procesi dhe cili do të jetë roli i Francës?
Ambasadorja Butel: Presidenti Macron është shprehur i gatshëm për të organizuar një samit në Paris me liderët e Kosovës dhe Serbisë, me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, për të lehtësuar rifillimin e dialogut.
Për këtë qëllim, nga të dyja palët priten veprime: nga Kosova suspendimi i taksës 100% për produktet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina dhe nga Serbia suspendimi i fushatës së çnjohjeve të Kosovës.
Sapo të rifillojë dialogu, ai do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, me mbështetjen e Francës, për të lehtësuar diskutimet midis të dyja palëve me synimin për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht detyruese.