Burra që vrasin gra: Këtë vit gjashtë gra humbën jetën si pasojë e dhunës
Në katër vitet e fundit 25 gra vdiqën. Ndërsa vetëm në vitin 2020, gjashtë gra u privuan nga e drejta për jetë. Shkaktar për vdekjen e tyre ishte dhuna.
Më 13 mars, Kosova njëjtë si shumë shtete të botës, hyri në karantinë për shkak të përhapjes së virusit COVID- 19, shkruan FaktePlus.
Bashkë me izolimin, humbën kontaktet me njerëz, e kjo i mundësoi dhunuesve çasje më të lehtë deri te qëllimi i tyre kryesor: dominimi te pala tjetër.
Gjatë kohës së karantinës u raportua se ka rritje të numrit të rasteve të dhunës. Por, gjithashtu u raportua se është rritur edhe vetëdijësimi i viktimave që ta raportojnë dhunën.
Sipas të dhënave të Policisë, dhuna në familje është rritur për 30% në krahasim me vitin e kaluar.
Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), ka thënë që njerëzit janë vetëdijësuar që ta raportojnë dhunën.
“Kjo përqindje e raportuar nga policia ndonëse tregon një rritje të rasteve të dhunës në familje, mund të shihet edhe si vetëdijësim për raportimin e dhunës. Pas shumë fushatave nga shoqëria civile dhe institucionet relevante që të raportohet dhuna në familje, mund të themi se kanë arritur të ndikojnë në rritjen e raportimit të dhunës.”, ka thënë Kurti.
Ajo, në një intervistë me shkrim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus ka treguar se si ka ndikuar periudha e izolimit te shtimi i rasteve të dhunës.
“Personat që kanë përjetuar dhunë në familje, periudhën e izolimit e kanë pasur të
vështirë pasi që jashtë janë rrezikuar nga virusi e brenda nga abuzuesi. Kjo ka mundur ta
pamundësojë edhe raportimin e dhunës.”, ka thënë Kurti.
Ajo, ka bërë thirrje që të raportohet dhuna, sepse nëse dhuna nuk raportohet, institucionet e drejtësisë e kanë të pamundur t’i ndihmojnë.
“Institucionet e Drejtësisë pothuajse e kanë të pamundur për të ndihmuar kur dhuna nuk
raportohet, prandaj gjithmonë i inkurajojmë ta raportojnë atë pasi që institucionet
marrin përgjegjësinë e parandalimit dhe mbrojtjes.”, ka thënë Kurti për FaktePlus.
Kurti thotë që prej fillimit të pandemisë e deri më tani, Rrjeti i Grave të Kosovës ka trajtuar 15 raste të dhunës ndaj grave.
“Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani kemi trajtuar rreth 15 raste të dhunës me baza
gjinore.”, është shprehur Kurti për FaktePlus.
Kurti, gjithashtu ka treguar edhe se si duhet të veprojnë institucionet në Kosovë për vetëdijësimin e njerëzve se nuk duhet përdorur dhuna. Ajo thotë se shteti duhet të angazhohet nga arsimimi i hershëm dhe t’i mësojnë nxënësit për drejtat e barabarta mes njerëzve pa dallim gjinie, moshe, përkatësie etnike apo orientimi seksual.
“Shteti duhet të angazhohet që nga arsimimi i hershëm fillorist të gjithë nxënësit të mësojnë për të drejtat e barabarta mes njerëzve, pa dallim gjinie, moshe, përkatësie etnike, orientimi seksual apo seksualiteti. Ministria e Arsimit duhet të krijojë metoda të reja që këto mësime nxënësit t’i përvetësojnë dhe t’i shpërndajnë në familje e shoqëri. Duhet angazhim i të gjitha fushave në mënyrë që të ulet diskriminim gjinor, në shoqëri, familje e në punë.”, është shprehur Kurti.
Kurti ka përmendur edhe një element në evitimin e dhunës ndaj grave. Ajo ka thënë që nëse shteti iu mundëson viktimave pavarësim ekonomik, atëherë ato nuk do të jenë të detyruara të qëndronjë në një shtëpi dhe kështu nuk do të jenë të ekspozuara ndaj dhunës.
“Gratë që përjetojnë dhunë në familje shpesh hezitojnë të ndahen nga bashkëshorti abuzues përshkak që nuk kanë vend tjetër për të banuar, nuk kanë të ardhura financiare dhe kështu ato detyrohen të vazhdojnë të jetojnë me dhunuesit e tyre. Kur shteti angazhohet në pavarësimin ekonomik të grave, gratë do të kenë mundësi të jetojnë pa dhunë me bazë gjinore.”, është shprehur ajo.
Ajo ka thënë se organizatat jo-qeveritare kanë ndikim të madh në rastet e dhunës në familje, duke filluar me avokimin për krijimin e ligjeve apo ndryshimin e tyre për mbrojten e personave që përjetojnë dhunë në familje, avokim për zbatimin e këtyre ligjeve, hulumtime dhe rekomandime tek institucionet, diskutime dhe takime të vazhdueshme me akterët relevantë për rastet e dhunës në familje, si dhe fushatat vetëdijësuese lidhur me këtë çështje.
Kohëve të fundit është riaktualizuar tema e dhunës ndaj grave si pasojë e raportimit të shpeshtë, mirëpo edhe pas uljes së dënimit të Pjetër Ndrecajt pasi i njëjti vrau gruan (Valbon Ndrecaj) dhe vajzën e tij të mitur (Klara Ndrecaj)./FaktePlus