Burgun s’e mban, del kafeve e mban fjalime – cila është e vërteta për shëndetin e Agim Ademit
Pavarësisht se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin e Gjykatës Themelore për kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademin, me 9 muaj burgim efektiv, ky i fundit ende nuk është paraqitur për ta vuajtur dënimin, e që do të duhej ta bënte qysh më 18 qershor.
Agim Ademi së bashku me Muharrem Ramën ishin dënuar për veprën penale detyrim në tentativë. E pas dënimit Ademi kishte kërkuar shtyrje të vuajtjes së dënimit për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
Këtë Gjykata Themelore e Prishtinës ia kishte refuzuar, kurse Gjykata e Apelit ia kishte aprovuar. Kështu atij i ishte shtyrë për tri muaj vuajtja e dënimit.
Mirëpo Ademi, edhe pse ishte arsyetuar se ishte i sëmurë, është parë tejet aktiv ditët e fundit. Ai fillimisht u pa duke pirë kafe në qytet e më pas në një eveniment duke mbajtur një fjalim.
E refuzon burgun, kafet e takimet nuk i ndal, në FFK nuk flet askush për rastin “Agim Ademi”
Agim Ademi “i sëmurë” shëtit Kosovën, mban fjalim 4 minuta me ligën e veteranëve
Agjencia e Lajmeve FaktePlus ka pyetur Gjykatën e Apelit dhe atë Themelore të Prishtinës për të mësuar se cilat janë arsyet e refuzimit e pastaj të pranimit të kërkesës së Ademit.
Nga Gjykata Themelore e Prishtinës nuk kanë dhënë arsye të qartë mbi refuzimin pse kanë refuzuar kërkesën për shyrjen e ekzekutimit të dënimit.
Nga kjo gjykatë kanë bërë të ditur se kërkesa e 12 qershorit për shtyrje të dënimit i ishte refuzuar Ademit si e pabazuar tri ditë më pas, kurse i ishte ndryshuar pas vendimit të Apelit për pranim.
“Ju njoftojmë se i dënuari A.A. nuk është lajmëruar në vuajtje të dënimit me burg, pasi që i njëjti me datë 12.06.2020 ka bërë kërkesë për shtyrje dhe Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 15.06.2020 ka marr aktvendim dhe e ka refuzuar kërkesën si të pa bazuar. Kundër këtij aktvendimi i dënuari A.A ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit të Kosovës me datë 17.06.2020. Gjykata e Apelit të Kosovës me datë 19.06.2020 e ka aprovuar si të bazuar ankesën e të dënuarit A.A. kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë ED.nr.267/2020, të datës 15.06.2020. Aktvendimi në fjalë është ndryshuar dhe të dënuarit A.A i është lejuar shtyrja e ekzekutimit të dënimit me burg në kohëzgjatje prej 3 (tre) muajsh”, ka thënë zyrtarja për informim, Mirlinda Gashi.
Ademi me dokumente të mjekëve nga Maqedonia kërkon të mos shkoj në burg
FaktePlus e ka pyetur Gjykatën e Apelit se në çfarë dokumentesh mjekësore kanë vendosur që t’ia pranojnë ankesën e Ademit.
Nga ky institucion kanë bërë të ditur se vendimi është marrë nga dokumentacioni mjekësor që e ka lëshuar i dënuari e sidomos raporti i ekzaminimeve të tre specialistëve të një klinike të Shkupit.
“Gjykata e Apelit vendimin e ka marrë, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore si dhe të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, sidomos raporteve të datës 20.02.2020 të lëshuar nga një klinikë e specializuar në Shkup, sipas ekzaminimeve të tre specialisteve, të cilat konsiderohet se paraqesin gjendjen shëndetësore aktuale të dënuarit. Gjykata e Apelit sipas ligjit është e thirrur të vendos vetëm në bazë të provave që gjenden në shkresat e lëndës dhe nuk mund të prejudikoj sjelljet e as veprimet e të dënuarit”, thuhet në përgjigjen e Arbër Jasharit, zyrtar për informim në Gjykatën e Apelit.
Agim Ademi akuzohej se ka kërcënuar për vdekje një person
Kujtojmë se kreu i FFK-së, Agim Ademi është përballur në gjyq me akuzat për veprat penale të detyrimit dhe ushtrimit të ndikimit.
Ademi po akuzohet se së bashku me Muharrem Ramën e kanë kërcënuar për vdekje një person. E gjithë kjo sipas Prokurorisë u bë me qëllim ndryshimi të statusit të një ngastre toke.
Aktakuza fillimisht përbëhej nga dy pika.
Në pikën një të aktakuzës Agim Ademi e Muharrem Rama akuzohen se në periudhën kohore nga 12 korriku i vitit 2012 e deri më 12 shtator të po të njëjtit vit, në bashkëkryerje dhe me dashje të përfitimit material për veten e tyre apo për personin tjetër, kanë përdorur kërcënimin serioz me vdekje.
Sipas Prokurorisë, i akuzuari Muharrem Rama e ka sulmuar fizikisht viktimën Dritëro Kadolli, në atë mënyrë që ta detyrojë atë që të bëjë një veprim në dëm të pasurisë së tij, respektivisht t’ua jep atyre një veturë të tipit BMW X5, veturë e cila më pas pretendohet se do t’i dorëzohej Sami Hamitit.
Tutje në pikën e dytë të kësaj aktakuze thuhet se të akuzuarit e lartpërmendur gjatë periudhës së njëjtë kohore në bashkëkryerje kanë kërkuar nga Dritëro Kadolli shumën prej 30.000.00 euro apo një veturë të tipit BMW X5, në lidhje me ushtrimin e ndikimit jo të duhur të tyre në vendimmarrjen e kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, që të ndryshojë statusin e një ngastre toke nga “zona e gjelbëruar” në “zonë ndërtimore”./FaktePlus
Dënimi me burg i Agim Ademit – Kosova rrezikon të përjashtohet nga FIFA dhe UEFA