Burgim i përjetshëm ndaj vrasësit të Shkodran Bytyqit
Trimor Lalinovci e ka marrë këtë të hënë dënimin më të rëndë që parashohin ligjet e Kosovës – burgimin e përjetshëm.
I njëjti më 8 dhjetor të vitit 2019 e kishte vrarë Shkodran Bytyqin në afërsi të fshatit Prelez dhe më pas trupin e tij e kishte hedhur në një përroskë në Kishnapol të Gjilanit, derisa kufomën më vonë edhe e dogji.
Për veprat penale “vrasje e rëndë” dhe “kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”, Trimor Lalinovci u dënua nga Gjykata Themelore në Ferizaj, ndërkohë që familjarët e tashmë të ndjerit Shkodran Bytyqi e kanë pritur se dorasit do t’i jepej dënimi me burgim të përjetshëm.
Këta të fundit thonë se të birit të tyre të ndjerë iu morr jeta mizorisht për shkak të një prone të cilën Shkodrani ia kishte shitur Trimorit në maj të vitit 2019, e që i dënuari nuk kishte arritur ta paguante për çka edhe e ekzekutoi shokun e tij.
Ndërkaq familjarët e Trimor Lalinovcit janë shprehur se nuk kanë çfarë të thonë për këtë rast.
I dyshuar për këtë vrasje është edhe vëllai i tashmë të dënuarit më burgim të përjetshëm, D.L, por procedura ndaj tij është veçuar të premten e kaluar pasi ai nuk e ka pranuar fajësinë.