Burdushi thotë se është viktimë e politikës
Zyrtarë nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Qendra Rajonale në Prizren e kanë vizituar sot Hysri Peqanin-Burdushin, i cili po vuan dënimin aktualisht në Qendrën e ndalimit në Prizren.
Kujtojmë se ka dy ditë që i ashtuquajturi Burdushi ka hyrë në grevë, me arsyetimin se është duke u diskriminuar.
Ndërkohë që drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Hamit Ademaj tha se ndaj Hysri Peqanit, janë duke u zbatuar gjithë rregullat e parapara në të tilla raste, prandaj edhe janë në vëzhgim permanent të tij.
“Ai është në gjendje stabile dhe jemi duke e përcjell gjendjen e tij shëndetësore, duke qëndruar i vetëm në qeli, ashtu siç edhe parashihet në të tilla raste”, ka thënë ai.
Ndërkaq, punëtori social, po ashtu ka pohuar se e ka takuar dhe këshilluar të njëjtin (Burdushin) për ndërprerje të grevës, por ai akoma vazhdon të jetë në grevë.
“Gjatë takimit/vizitës që i bëri KMDLNj, Burdushi ka pohuar se është i indinjuar me sjelljen, përkatësisht zvarritjen e procesit dhe greva në këtë rast s’ka të bëjë me trajtimin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, për të cilët thotë: ‘se janë shumë korrektë dhe i falënderon menaxhmentin dhe oficerët korrektues, personelin e stafin mjekësor, për trajtim shumë të mirë’. Por, ai ka vërejtje në zvarritjen e procesit nga Prokuroria shtetit, dhe për këtë ka hyrë në grevë, siç thotë deri në realizimin e të drejtës për gjykim të shpejt e të drejtë, duke konsideruar veten të pafajshëm. Nga ana e saj KMDLNj i ka kërkuar Burdushit, që të ndërpresë grevën, ngase me këtë vetëm mund të dëmtojë shëndetin. Ndërsa, sa i takon adresimeve për zvarritje nga Prokuroria, kjo s’është në mandatin e KMDLNj-së”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.
Tutje thuhet se gjatë kësaj vizite të KMDLNj-së, Hysri Peqani ka konfirmuar se në asnjë moment dhe asnjë rrethanë nuk ndien se po diskriminohet në baza etnike.
“Kjo është e pavërtetë që ka dalë, nuk e di nga kush. Unë, këtë asnjëherë se kam thënë dhe as që e them. Unë, jam i martuar me shqiptare. Kjo nuk është e vërtetë, se ka prapavijë etnike. Thjeshtë po mbahem padrejtësisht dhe këtë dua sa më parë ta dëshmojë para drejtësisë, se jam thjeshtë viktimë e politikës”, citohet të ketë thënë Peqani.
Kujtojmë se Hysri Peqani-Burdushi është arrestuar me 16 nëntor të vitit 2018 në shtëpinë e tij, në Prizren. Policia gjatë bastisjes në dy shtëpitë e tij, ka marrë me vete materiale si: DVD, incizime tjera, ka konfiskuar kamerat, hard disqe si dhe tri vetura pronë e tij dhe familjes, të markave: Ronger, Audi e Reno.