Buka po shitet 40 cent, ndonëse TVSH-ja është hequr
Aq sa u shit para 23 marsit, aq po shitet edhe pas kësaj date. Çmimi i bukës në pothuajse të gjitha furrat në Prishtinë ka mbetur i njëjtë, 40 cent.
Ky çmim ka mbetur pavarësisht vendimit që e mori një javë më parë Ministria e Financave për të liruar nga tatimi të gjitha kompanitë që merren me importimin e grurit dhe miellit.
Se ky produkt bazik për jetesë vazhdon të shitet njëjtë e thotë edhe furrtari, Berat Shigjergji.
Ky, megjithëse e pranon se çmimi i bukës që shet është i lartë, fajin për këtë ua lë mullisëve.
“Është e vërtetë se është pak shtrenjtë, por ata mullisët e shesin miellin shumë shtrenjtë. Nëse ata e lirojnë edhe na e bëjmë bukën 25 cent”, u shpreh.
Portali Front Online, për këto ankesa, ka kontaktuar me Shoqatën e Mullisëve.
Por kryetari i saj, Muhamet Selamni, me të dëgjuar pyetjen e ka mbyllur telefonin dhe nuk e ka hapur më atë.
Përgjigje për këtë nuk kanë dhënë as në Ministrinë e Financave.
Nga ky dikaster i kanë referuar portalit që pyetjet për moszbritjen e çmimit të bukës t`i adresohen ATK-së.
E ata që ‘preken’ në xhep nga mosulja e çmimit janë qytetarët.
Këta të fundit janë kërkojnë që çmimi për bukë të zbresë. Thonë se çmimi aktuali është shumë i lartë.
“Është shtrenjtë, duhet të zbritet, po besoj që e kanë parasysh këtë situatë dhe e ulin”, thotë ai.
Bile ka prej atyre që e vënë në dyshim peshën e bukës.
“Buka e ka emrin, po sa është bukë është çështje tjetër. I ka 100 gram, 200, ai kulaç dhe jo bukë”, thotë ai.
Në lidhje me këtë çështje është pyetur edhe Autoriteti Kosova i Konkurrencës (AKK).
Kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi, tha se institucioni që ia udhëheqë nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me çmimin e lartë të bukës.
“Për këtë çështjen e çmimit të bukës dhe pas heqjes së TVSH-së, Autoriteti nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim,. Por, nëse vërejmë se ka ndonjë koordinim ndërmjet furrtarëve rreth çështjes së çmimit të bukës, të formë të bashkërenduar atëherë do të veproj sipas dispozitave ligjore”, tha ai për Front Online.
Në vendimin e Ministrisë së Financave të datës 24 mars thuhej se janë liruar nga taksa doganore dhe TVSH-ja të gjitha subjektet biznesore prodhuese apo kontraktuesit e tyre, të cilët merren me importimin e lëndës së parë, grurit dhe miellit për prodhimin e bukë dhe produkteve të bukës.